Lajme

“Astiri”, Basha: Protesta rrëzoi aferën korruptive të qeverisë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbështetur banorët e zonës së “Astirit”, të cilët për të 56 ditë me radhë protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre për ndërtimin e projektit të “Unazës së Re”.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka thënë se ndërtimi i këtij aksi të kryeqytetit është një abuzim me fondet e qytetarëve shqiptarë.

Ai deklaroi se qytetarët e bashkuar kanë forcën për të larguar këtë qeveri, të cilën ai e konsideroi si bandë hajdute.

“Kjo protestë rrëzoi projektin korruptiv si modeli që mishëron qeverisjen e Ramës. Nuk mjafton vetëm largimi i shërbëtorëve të Edi Ramës në vjedhjen tek Unaza e Re. Njeriu që urdhëronte të gjithë këta vazhdon të mbetet në krye të qeverisë, - u shpreh kreu I opozitës. - Qytetarët e bashkuar kanë forcën për të larguar këtë bandë hajdute. Duhet të shembim këtë sistem që kurrë mos bëhen pazare. Duhet të pastrojmë politikën nga krimi. Rruga për të shembur këtë sistem politik është rruga e bashkimit”- tha Basha”.

Basha theksoi se rruga për t'i kthyer Shqipërinë shqiptarëve është rruga e qëndresës dhe përballjes.

“Unaza e Re, Teatri, drama e arsimit të lartë janë simptomat e një sëmundje fatale që ka kapur këtë sistem të kalbur politik. Rruga për ta shembur këtë sistem politik është rruga e qëndresës dhe rruga e bashkimit, - shtoi Basha. - Ndonëse janë mbledhur këtu në muzg dhe errësirë, e kanë ndriçuar rrugën me praninë dhe qëndresën. Rruga për t'i kthyer Shqipërinë shqiptarëve është rruga e qëndresës, rruga e përballjes deri në shembje, deri në tullën e fundit çmontimin, deri në vidhën e fundit të këtij mekanizmi që ka vjedhur, shtypur dhe mashtruar shqiptarët dhe rikthimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë që ofron vende pune, zhvillim dhe dinjitet për qytetarët shqiptarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë