Motosport

Asnjë ndëshkim për Vershtapen, bie poshtë rekursi i Mercedesit për holandezin

Asnjë sanksion për Maks Vershtapen pas ankimimit të Mercedesit për duelin e tij me Ljuis Hemiltonin gjatë garës së Brazilit. Piloti holandez nuk do të penalizohet sa i takon pozicionit në nisjen e garës së Katarit, e parashikuar për këtë fundjavë.

FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) e ka hedhur poshtë rekursin e Mercedesit, që pretendon se Vershtapen ka shkelur rregullat dhe ka rrezikuar ta nxjerrë Hemiltonin jashtë gare. Episodi në fjalë është ai i xhiros së 48-të, në kthesën 4 të cirkuitit të Interlagosit, ku Vershtapen u mbrojt nga parakalimi i rivalit.

Momenti kur Vershtapen dhe Hemilton dolen nga pista. Gazeta Si, 19 nentor 2021

Komisarët gjykuan gjatë garës së nuk duhej të ndërhynin me penalitet ndaj holandezit të Red Bull-it. Dy ditë pas garës së fituar nga Hemilton Mercedesi kërkoi rishikimin e këtij episodi, pasi dolën pamje që më parë nuk ishin të disponueshme.

Pas një analize të kujdesshme, stjuadrët kanë gjykuar se “janë imazhe të reja, të padisponueshme në momentin e vendimit fillestar, por jo domethënëse". Këto pamje nuk shtojnë elementë deçizivë për këtë rast, ndaj dhe nuk ka asnjë ndëshkim për Vershtapen.

Hemilton ishte shumë pranë dhe tentoi parakalimin nga jashtë, ndërsa Vershtapen, pas një frenimi të fortë, e zgjeroi trajektoren, duke u detyruar të dalë nga pista bashkë me rivalin. Dhjetë xhiro më pas erdhi ai parakalim i bukur, me të cilin Hemilton fitoi në Brazil.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë