Sipas ligjit të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, ndërsa pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Në bllokun e gjyqtarëve ligji përcakton qartë se njëri prej tyre duhet të mbërrijë nga gjykatat e apelit të rretheve. I vetmi kandidat në thirrjen e parë për këtë Këshill ishte Besim Trezhnjeva, gjyqtar në Apelin e Durrësit.
Por, në muajin mars Trezhnjeva nuk e kaloi testin e vettingut dhe për pasojë u shkarkua. Argumenti i përdorur fillimisht nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit dhe më vonë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte mosjustifikimi i pasurisë.
Ky shkarkim detyroi Gjykatën e Lartë të rihapë garën për kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Thirrja u çel në fillim të këtij muaji, por ripërsëritet sepse, siç mësohet, deri më tani nuk ka asnjë aplikim në këtë post.
Jozyrtarisht, Gazeta Si mëson se gjyqtarët i druhen kalimit me përparësi në procesin e vettingut dhe ngurrojnë që të aplikojnë për këtë post.
Ligji ngarkon kryetarin e Gjykatës së Lartë me detyrën e hapjes së garës dhe thirrjes së kandidatëve nga sistemi gjyqësor që kërkojnë të bëhen pjesë e KLGj.
Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të 2016, Xhezair Zaganjori, në cilësinë e kreut të Gjykatë së Lartë e ushtroi këtë të drejtë. Ai hapi garën dhe në janar të 2017 u përcaktua një listë me 14 kandidatë nga Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe ato të Shkallëve të Para.
Kandidatët ishin Artan Zeneli, Besim Trezhnjeva, Artan Laze, Bledar Abdullai dhe Brunilda Kasmi. Në prill të këtij viti, Brunilda Kasmi u dorëhoq për arsye personale, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë ranë në testin e vettingut dhe u shkarkuan.
Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të pPër organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018. Dorëzimi i tyre duhet të bëhet dorazi pranë zyrës së protokollit të Gjykatës së Lartë, me postë, ose përmes postës elektronike.
Më pas, nga lista me kandidatë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe 3 prej tyre duhet të mbërrijnë nga Gjykatat e Shkallës së Parë, dy nga Gjykatat e Apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë, sa u takon emrave të juristëve nga radhët e avokatëve, fakulteteve të drejtësisë, Shkollës së Magjistraturës dhe shoqërisë civile Kuvendi e ka ushtruar në fillim të këtij viti të drejtën e përzgjedhjes së tyre.
Opozita e bojkotoi procesin në komisionin ad hoc të ngritur për këtë qëllim dhe akuzoi se lista e kandidatëve ishte e diktuar nga mazhoranca. Në pamundësi për të siguruar shumicën e kërkuar, kandidatët u zgjodhën përmes shortit. Goglat përcaktuan nga radhët e avokatisë Arben Vanin dhe Sokol Lamajn, nga radhët e pedagogëve Erion Muharremajn e Ilir Pandan dhe nga shoqëria civile, Altin Hazizaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.