Futboll

Asgjë personale me Fidel Yllin, marrëdhënia FSHF-Qeveri e pacënuar!

Nga Gazeta Si – Presidenti Duka u rideklarua edhe një herë në media, kundër Ligjit të Sportit që u miratua së fundi (me urgjencë të panevojshme sipas tij) nga Parlamenti. Drejtuesi i futbollit në vend shprehu shqetësimin për mungesën e konsultimit me grupe interesi sportiv për këtë ligj që u bë për interesat e një individi që për Armand Dukën është pretendent për President dhe jo President i KOKSH (kujtojmë që FSHF nuk e njeh KOKSH kështu sic është organizuar.) Ai sjell në vëmendje procesin e anëtarësimit të vendit në BE dhe ashtu si ligjet e tjera edhe ai i Sportit duhej diskutuar me partnerët evropianë, UEFA-n dhe FIFA-n.

Armand Duka, Edi Rama dhë Fidel Ylli

Gjë që nuk ndodhi dhe ashtu si u miratua i jep të drejtë KOKSH të organizojë evente dhe kampionate në cdo sport. Si dhe të vendosë arbitrat (gjyqtarët) e Gjykatës Sportive ku vetë KOKSH do të jetë palë në gjykim. “Mesa duket Parlamenti mendon se Fideli nuk vendos arbitra të këqinj” – tha Presidenti i FSHF. Që konfirmoi se institucioni që ai drejton nuk do të rrijë duarkryq por do të bëjë të gjitha përpjekjet juridike dhe publike për ta kthyer ligjin në hullinë që i shërben sportit. Së fundi ai është parë në shoqërinë e Kryeministrit Rama por tha se nuk e di nëse numri 1 i Qeverisë është informuar për dëmet që i Ligji i ri i shkakton sportit.

Edi Rama, Armand Duka dhe Gianni Infantino

Duka beson se qëndrimet parimore të FSHF nuk e rrezikojnë raportin me Qeverinë dhe është i bindur se mbështetja për investime dhe organizime të eventeve nuk do të mungojë. Megjithatë ai kujtoi sërish se Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka lëvruar ende shumën prej 1.1 milionë eurosh që u premtua për organizimin e Euro U17.  Në fund edhe një opinion për bastet, për të cilat thotë – “Mos të luhej fare, unë do të isha i lumtur sepse bastet janë drama sociale për shumë njerëz e familje. Bastet kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Ne kemi thënë që përderisa ky aktivitet zhvillohet në të zezë, le ta kthejmë në të bardhë dhe le të ketë një benefit futbolli. Nuk ka ndonjë koordinim me askënd tjetër. Bastet janë aktive. Sporti nuk po merr lekë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë