Muzike

‘Asgjë nuk u krijua artificialisht për këngën e re të Beatles’

Muzikanti Paul McCartney në rrjetet sociale u ka dërguar një mesazh fansave: “I lumtur me entuziazmin tuaj, por mos u shqetësoni, asgjë nuk është krijuar në mënyrë sintetike”

Paul McCartney donte të qetësonte fansat, të cilët ditët e fundit kishin shkaktuar alarmin pas njoftimit se një këngë e re e Beatles do të publikohej brenda vitit falë përdorimit të inteligjencës artificiale.

Kënga e re, e titulluar “Now and Then”, është një kompozim dashurie dhe disi i lezetshëm i John Lennon nga viti 1978 që kishte mbetur prej kohësh i papërfunduar pas vrasjes së tij në New York City më 8 dhjetor 1980.

Muzikanti sqaroi: “Është fantastike të shohësh përgjigjen tuaj kaq entuziaste ndaj projektit tonë të ardhshëm të Beatles”, shkroi ai në rrjetet sociale.

“Askush nuk është më i emocionuar se ne për të ndarë diçka me ju, por kemi parë pak konfuzion dhe spekulime rreth saj”.

Prandaj lind edhe nevoja për të sqaruar.

“Nuk mund të them shumë në këtë fazë, por për të qenë i qartë, asgjë nuk është krijuar artificialisht apo sintetikisht. Gjithçka është reale dhe ne të gjithë luajmë në të. Ne kemi pastruar disa regjistrime ekzistuese, një proces që vazhdon prej vitesh”.

Në një intervistë me BBC rreth dhjetë ditë më parë, McCartney shpjegoi: “Ishte një demo që John kishte dhe për të cilën ne kemi punuar, do të dalë brenda vitit”, tha ai.

“Ne ishim në gjendje të merrnim zërin e John dhe ta bënim të pastër përmes AI, kështu që ne kemi mundur ta përziejmë rekordin siç do ta bënim normalisht”.

Nga ana tjetër, ka shumë shqetësime në botën e muzikës për lëvizjet që mund të sjellin teknologjitë e reja. Vetëm pak ditë më parë Grammy, çmimet kryesore në frontin muzikor amerikan, prezantoi udhëzime të reja për atë që ka të bëjë me këngët e krijuara me inteligjencë artificiale.

Akademia e Regjistrimit - institucion amerikan i regjistrimit dhe organizator i garave më të rëndësishme muzikore në vend - ka folur për një përdorim të mundshëm të AI në çmimet Grammy: “Vetëm krijuesit njerëz mund të nominohen ose të fitojnë një Grammy”, janë shprehur ata. /La Repubblica/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë