Politike

Asambleja e PS-së zbardhet axhenda: Zgjedhje në parti e analizë e 30 qershorit

Zbardhet axhenda e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila nis punimet nesër në ora 16:00. Partia Socialiste për herë të parë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit do të mbledhë Asamblenë për të diskutuar mbi situatën e re politike.
Mbledhja do të nisë me fjalën e kryesocalistit Edi Rama i cili do të japë qëndrimin e tij mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në të cilat nuk mori pjesë opozita dhe ku pati një pjesëmarrje të ulët të votuesve. Pavarësisht se PS-ja do të drejtojë të gjitha bashkitë socialistët janë të pakënaqur për votat e marra, si dhe për faktin e nivelit të pjesëmarrjes, pavarësisht se publikisht e cilësojnë si brenda asaj se çfarë kishin parashikuar.
Kryeministri Rama pritet të japë edhe një vlerësim për qeverisjen e deritanishme, si dhe për ofertën që do t’i bëhet opozitës për bashkëpunimin në reformën zgjedhore. Në Asamblenë e këtij fillimviti Rama do të ndërmerrte ndryshime të forta në qeveri dhe se paralajmëroi edhe dy ministrat Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu për arritjen e rezultateve konkrete. Por Rama pas shtatë muajsh ka deklaruar se nuk e sheh të nevojshme që të ndërmarrë ndryshime të tjera në qeveri.
Pas fjalës së Ramës, analiza do pasohet me shqyrtimin dhe miratimin e Projekt-Vendimit për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti. Gjithashtu do bëhet shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit për zgjedhjet e reja të përgjithshme në parti.
Në vjeshtë socialistët do të shkojnë në zgjedhje për të votuar drejtuesit e rinj të strukturat të Partisë, ku Edi Rama do të kërkojë një mandat tjetër nga socialistët. Gjithashtu gjatë Asamblesë pritet të miratohen edhe kriteret mbi të cilat do të zgjidhen delegatet e Kongresit, kryetarët e degëve në rrethe, kryetarët e Këshillave Socialiste të Njësive Administrative si dhe kryetarët e Organizatave Socialiste.

Axhenda e mbledhjes së PS-së

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë