Treg

Artizanët shqiptarë impresionojnë të huajt në Ulqin

Sabina Veizaj-Dushani ndjehet shumë i lumtur që ndodhet në Ulqin.

Kjo ndjesi nuk ka të bëjë me detin, sepse një copëz Adriatiku ka lënë në Vlorë e një copëz e ka gjetur në Ulqin.

Ai është i gëzuar sepse punimet e tij artizanale prej druri të shumëllojshëm po ia prezanton mbi 3000 vizitorëve nga anembanë bota në Panairin e Artizanatit në Ulqin.

Dushan Mezini

Data 6 prill është Dita e Ulqinit, ditë e shënuar kur përveç shumë aktiviteteve të tjera zhvillohet për tre ditë me radhë edhe Panairi i Artizanatit.

Në këtë panair, morën pjesë 104 artizanë nga rajoni; Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, por edhe Rusia.

Dushan Mezini 70 vjeç nga Sevasteri i Vlorës, por që jeton në Vlorë, ka nisur të përpunojë drurin që në moshën 16 vjeçare. “Në atë kohë vjen një usta në fshatin tim nga Tepelena, Jaup Duraj dhe më merr ta ndihmoj si marangoz për dysheme, tavane, dyer e dritare. Punova 6 muaj me të. Shkova mandej në Fushë Krujë si ushtar, por zanatit nuk iu ndava që atëherë. Një prej djemëve e ndjek. Djali im, i vogli e mori zanatin. Ai punon mobilier. Unë nuk i përgjigjesha dot dhe çfarë do bëj, çfarë do bëj, ndërtoj suvenire me dru”- më tregon Dushani, të cilin e kam takuar në tezgën e tij ndan plazhit të vogël në Ulqin, në shëtitoren “Rana e hedhun”. Ai ka tre vite që ka nisur të bëjë punime artistike prej druri.
“Kjo është një vazo druri për lule të thata me disa lloje drurësh; man, bredh, etj…” dhe tërheq një nga produktet prej tezgës që të ma tregojë. Ai më thotë se krijon edhe gjëra të reja herë pas here. Dushani punon në shtëpi vazo lulesh, vocka uji (pagure) apo dybekë funksionalë. Çmimet e tij nisin nga 1000 lekë. Nuk ka një dyqan. Shet në rrugë. Dushani më tregon se turistët e huaj i pëlqejnë shumë punët e tij.

Tek e pyes nëse bashkëshortja e ndihmon në punën e tij, më thotë se pa gruan nuk do tia dilte dot. “Boll ta shoh e të bëjë ndonjë shaka ajo, më fluturon mendja fare. Ta doja që në fillim sa e dua tani, nuk do kishte as rreckat, do ta kisha ngrënë me gjithë rrecka.”- më tregon dhe shpërthejmë të dy në të qeshura.

Edhe Vladimir Kamberi vjen në panairin e Ulqinit nga Vlora. Ai ka punuar 19 vite si oficer, por ka 27 vite që merret me artizanat. Krijon suvenire me guacka. Për herë të parë ai ka ndërtuar një shqiponjë të cilën e ka shitur 5000 lekë.

Në këtë panair kanë ardhur 5 artizanë nga Vlora, punimet e të cilëve janë evidentuar nga vizitorët.

Vladimir Kamberi

Ramiz Hajdari, kreu i organizatës “Globus Art” e cila organizon këtë panair në një bisedë gjatë ditës më thotë se artizanët e Vlorës janë paraqitur denjësisht. “Kanë patur punimet më të mira dhe më të pëlqyera” – më tregon Hajdari.

Ai ka organizuar vetëm në Ulqin mbi 40 panaire në 8 vite dhe shumë më shumë jashtë kufijve. Ramiz Hajdari është përfaqësues i artizanëve të Ballkanit që i ka promovuar artizanët anembanë globit.

Ramizi më tregon se panairi i radhës do të jetë më 27 prill për hapjen e sezonit turistik, kurse panairi qendror do të jetë në 30 Gusht.

Ai më thotë se organizimi i panairit ka kushtuar mbi 3500 euro dhe është me rëndësi për Ulqinin pasi rrit peshën, vlerën dhe imazhin e komunës. Sipas Ramizit, në tre ditët e panairit numri i vizitorëve ka arritur në 3000-4000 syresh.

Sejmen Gjokoli dhe Ramiz Hajdari

Stendat e panairit, të gjitha të njëjta, të vendosura dy metra në distancë nga njëra-tjetra ndanë detit, përballë bareve e restoranteve të zonës, tërheqin shumë vizitorë, të cilët pyesin për produktet, duan të kuptojnë më shumë përtej çmimit.

Sejmen Gjokoli, specialist i Trashëgimisë Kulturore pranë Drejtorisë së Kulturës Kombëtare, Vlorë, i cili ka shoqëruar artizanët e qytetit të tij në panair më rrëfen se janë vetëm 7 muaj që ai i ka identifikuar këta artizanë që punonin në mënyrë të mëvetësishme dhe shisnin ku të mundeshin.

“Këta njerëz i shërbejnë imazhit të qytetit dhe vendit. Një grup zejtarësh, mjeshtra të vërtetë të gdhëndjes në dru, por edhe të punimit me guacka e guraleca, të bazorelieveve e imitacioneve gjithëfarësh artistike, të anijeve antike detare e të sa e sa motiveve baritore, gati e "pushtuan" artistikisht shëtitoren përfund qytetit e ndanë plazhit në krahë të Kalasë iliriane, aty në Ranën e Hedhun. Krejt të veçanta e të gjitha fryt i trashëgimisë që vjen nga kohët e shkuara, nga jeta baritore, blegtorale e bujqësore e traditat e të parëve, punimet në dru të Axhi Dapaj e Dushan Mezinaj. Plot art e krijimtari gjithë finesë punimet e Kujtim Lapës, krejt të veçanta aplikacionet në bozoreliev të Avenir Troqes, ndërkohë që Vladimir Kamberi kthen në art përmes figurinash guackat e guralecët e detit. Art e bukuri më vehte, pa dyshim, anijet e vjetra të kuruara deri në detaje të Axhem Binaj”- më thotë Sejmen Gjokoli duke biseduar në pasdite në restorant Taverna.

Për të, të tillë krijues artizanë, me kaq shumë fuqi krijuese dhe me kaq mesazhe të forta trashëgimie kulturore, veç të tjerash, përbëjnë një aset të rëndësishëm promovues e turistik për kohën që jetojmë.

Artizanët e Vlorës në Ulqin

“Dhe Vlora tani i ka mjediset dhe infrastrukturën e duhur për tu krijuar mundësi këtyre artizanëve artista të ekspozojnë e tregëtojnë krijimet e tyre të cilat ja shtojnë vlerat kulturore Vlorës, këtij qyteti emblemë të turizmit bregdetar e kulturor”- thotë Gjokoli.

Në stendat e panairit sheh punime shumë të bukura prej artizanëve të rajonit. Serbia është përfaqësuar me shilarëse rrjetash, kukulla pambuku dhe leshi. Ulqinaket kishin ardhur me produkte si çanta, veshje fëmijësh të punuara me shtiza, sapunë artizanalë të prodhuara me produkte vendi, si vaj ulliri e lavandër.

Irina Bobojeviç është nuse prej Shkodre, por e martuar në Ulqin. Ajo ka trashëguar nga gjyshja pasionin për punën e dorës. Prej dy vitesh ajo e ka kthyer në biznes. Irina krijon çanta, shaje, kapuça, bizhuteri. Në stendë është sëbashku me të shoqin.

Irina ka energji shumë pozitive dhe është bujare. “Nuk kam dyqan derisa të rritet klientela. Shes në Etsy dhe Instagram. Çantat që janë me elementë mes tradicionales dhe modernes, tërhiqen shumë. Gjithashtu edhe kapuçët e leshit dhe shajet”- më tregon Irina.
Çmimet e produkteve të Irinës variojnë nga 20 - 62 euro. Të huajt që preferojnë punimet e saj janë australianët, turqit dhe gjermanët. Irina më thotë se fiton në muaj nga 100-500 euro. “ Për dy ditë punoj një produkt. Dora ka nisur të punojë më shpejt. Të huajt e vlerësojnë shumë dhe nuk e besojnë që një person në moshë të re merret me punë dore” – më tregon Irina.

Irina Bobojeviç

Stendat prej druri qëndrojnë ndanë detit deri në muzg, tek dielli është fshehur krejt dhe dritat e qytetit janë ndezur të gjitha.

Mandej artizanët i mbledhin për ti rihapur sërish të nesërmen në ditën e tretë të panairit. Disa syresh do të largohen; janë artizanët e Vlorës që na takojnë, sepse po nisen për rrugë.
Ndërsa ne bëjmë një shëtitje të shkurtër në qytet dhe ngjitemi në kala për të pirë një gotë verë.

Ramizi, organizatori i panairit na thotë se Kalanë tashmë nuk e pëlqen fort sepse e ka humbur kuptimin me shtimin e lokaleve dhe restoranteve.

Pamja nga Kalaja

Ai që na shërben është një djalë nga Shkodra, i cili ka ardhur për të punuar në Ulqin me fillimin e sezonit turistik.

Ekonomia e Ulqinit është bazuar tek turizmi dhe bujqësia. Nuk ka asnjë industri.
Edhe Ulqinin e shqetëson emigracioni, por që është me periudha.

Ajo që vihet re është numri i lartë i furrave të bukës. Të nesërmen, mëngjesin e hëngrëm tek një furrë buke tek Plazhi i vogël. Ajo kishte disa tavolina jashtë ku mund të haje ulur.
“Gjatë verës kemi shumë punë, nuk marrim dot frymë. Gjatë dimrit më pak, por nuk mbetemi, sepse askush nuk rri dot pa bukë”- më tha shitësja, një grua rreth të 55-ave.

Ulqini është qytet në bregun jugor të Malit të Zi. Komuna e Ulqinit ka një popullsi urbane mbi 10 mijë banorë (shumica shqiptarë) dhe të dhënat nga turizmi llogarin mbi 100 mijë turistë në sezon.

Si një nga vendbanimet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut, ajo u themelua në shekullin e 5 para Krishtit. U pushtua nga romakët në vitin 163 p.e.s nga ilirët. Me ndarjen e Perandorisë Romake, ajo u bë pjesë e Perandorisë Bizantine. Gjatë Mesjetës ishte nën sundimin sllav të Jugut për disa shekuj. Në vitin 1405 u bë pjesë e Republikës së Venecias dhe në vitin 1571 pjesë e Perandorisë Osmane.

Ulqini është një destinacion tërheqës për turistët, për shkak të plazhit të tij të shtrirë, liqenit Šas, ishullit Ada Bojana dhe për kalanë dy mijë vjeçare. Ulqini është gjithashtu qendra e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi.

Në mbrëmje, pasi zbritëm nga kalaja duke shkuar drejt apartamentit që do të kalonim mbrëmjen, takuam Gjyle Sadikun, një grua e mbajtur 85 vjeçare e cila ka ushtruar profesionin e parukieres. E para në Ulqin, e cila i ka shërbyer edhe gruas së bukur sipas saj të Titos.

Gjatë rrëfimit kuptoj se Gjylja ka qenë një grua e emancipuar në kohën e saj. Më rrëfeu gjatë bisedës se e ka dashur lirinë dhe pavarësinë. Ka punuar shumë, ka blerë shtëpinë e mandej ka lidhur kurorë.

Ajo e ka nisur punën si parukiere që në moshën 15 vjeçe. Aktualisht ajo lëshon dhoma me qira në shtëpinë e saj disa katëshe. Ajo e do shumë Shqipërinë, më thotë dhe e ka vizituar atë cep më cep.

Të dielën shëtisim edhe një herë stendat e panairit. Disa artizanë janë larguar. Nga 104 që promovuan punën e tyre ditën e parë, në ditën e fundit të panairit numëroheshin 80 syresh.
Mandej u ulëm në kafe me nënkryetaren e Bashkisë Hadixha Gjoni, përfaqësuese e partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Me profesion financiere, ajo është mbi 25 vite e pranishme në politikë, por edhe në shoqërinë civile, ku ka dhënë dhe ende jep një kontribut të madh në emancipimin e gruas shqiptare në Ulqin.

“Nuk ka qenë lehtë të dalësh dhe të kërkosh të drejtat tona, të kërkosh atë çka të takon, ta prekësh çështjen shqiptare, ta nxjerrësh nga errësira komuniste pas një kohe të vështirë, në veçanti në shtetin ku jemi trajtuar dhe ende trajtohemi pakicë”- tha gjatë bisedës informale në tavolinë znj. Gjoni.

Kaluam rreth një orë sëbashku dhe zbritëm në qytet, pranë komunës ku lamë nënkryetaren e bashkisë, për të eksploruar pak Ulqinin. Shëtitëm gjatë vijës bregdetare të Plazhit të Madh. Rezortet ishin të pakta dhe shumica e aktiviteteve të mbyllura për shkak se sezoni ende nuk është çelur zyrtarisht. Por Ulqini është një potencial i madh për tu ndërtuar dhe zhvilluar.

Ishulli Bojana ishte gjëja më interesante që kishte Ulqini, por investim malazes. Atje po ndërtohej ende që gjithçka të ishte gati për sezon. Në të dy anët e grykëdredhjes së Bunës, ku ishte formuar ishulli ishin ndërtuar shtëpiza druri që shërbenin si bare dhe restorante.

Ulqini është një qytet shqiptar i Malit të Zi, të cilin ne do ta rekomandonim për të kaluar këndshëm një fundjavë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë