Njerez

Arti shqiptar në zi, koronavirusi i merr jetën aktorit Guljelm Radoja

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Guljelm Radoja, ka ndërruar jetë në moshën  75-vjeçare pas infektimit me Covid-19.

Prej disa javësh, Radoja ishte shtruar në spitalin e Durrësit dhe para dy ditësh u transferua në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë, ku ndodhej në intubim. Gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe për fat të keq nuk mundi ta mposhtë virusin e rrezikshëm.

Ai ishte me origjinë nga Shkodra dhe jetonte prej vitesh në Durrës, ku ka qenë edhe pjesë e trupës teatrore të qytetit bregdetar.

Në kinematografinë shqiptare, Guljelm Radoja ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i tij i parë, ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma”, në viti 1970.

Të tjera role, janë ai i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës”, 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja”, 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë”, 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, 1989, apo roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj. Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Miq, kolegë, të afërm e personalitete të politikës shqiptare kanë reaguar me dhimbje pas lajmit të trishtë për vdekjen e aktorit.

Kryeministri Edi Rama bashkangjitur një fotoje të aktorit, postuar në rrjetet sociale, i jep lamtumirën Radosë që e quan mik. “LAMTUMIRË I DASHUR MIK”, shkruan shkurt Rama.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në statusin e saj në rrjetet sociale, teksa shpreh trishtimin për lajmin, thotë se “ikja e tij lë një tjetër vend bosh aradhën e artistëve, që e ngritën në nivelet më të larta artin e aktrimit”.

Regjisori Mevlan Shanaj u shpreh i tronditur për lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të njohur. Ai tha se Guljelmi, nuk vdiq nga ataku kardiak për shkak të Covid 19, por nga pakujdesia, pasi nuk iu dha ndihma e specializuar.

“Është shumë lajm tronditës. Para disa ditësh thashë se besoja që do i jepej ndihma e specializuar. Është figurë kombëtare, është një aset kombëtar me vlera të jashtëzakonshëm. Kush kujton Radojën, e ka parasysh imazhin e njeriut të shkëlqyer. Ai nuk vdiq nga një atak kardiak, por nga një pakujdesi. Le të flasë çdo mjek në botë, ka mbi një muaj që është në gjendje të rëndë”, - tha Shanaj për “News 24”.

Aktorja e njohur Rajmonda Bulku, tregon karakteristikat e veçanta të 75-vjeçarit.

“Po nga mediat e mësova. Për gjendjen e tij, informohesha me miqtë që kishim, se në këto momente nuk lidhesh asnjëherë me personin vet, Guljelmi se di pse do e pësonte aq keq këtë flamë. Nganjëherë thua që kur zgjat të jep shpresë që mund t’ia hedhë, por Guljelmi paska pasur fatin të mos ia hedhë. Më erdhi keq si për një mik, artist. Kishte një karakteristikë të veçantë si artist, ishte i jashtëzakonshëm, një njeri që e donte shumë punën, kinemanë, krijonte atmosferë të jashtëzakonshme edhe në sheshin e xhirimit”.

Regjisori Kastriot Çipi thotë se ndarja nga jeta e aktorit Gulielm Radoja i ka lënë “një zbrazëti, që nuk do të ma mbushë askush e asgjë”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Çipi shkruan se priti dy javë që gjendja e aktorit të përmirësohej.

“Pritja ta zbuska tronditjen, por jo pikëllimin. Dy javë piva përditë helmin tënd. Sot më dhe dozën e fundit. Ma helmove shpirtin, miku im i shtrenjtë Gulielm!

Artistë të mëdhenj ky vend ka nxjerrë e, ndoshta, do të nxjerrë prapë. Por njerëzit si ti i ka gjithmonë e më të rrallë. E prandaj unë sot nuk qaj për ty qi ke dek, por për na qi kena mbet…”, - shkruan Çipi në Fb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë