Rritja e çmimeve për “Argëtimin dhe Kulturën” sipas Institutit të Statistiakve ka bërë që inflacioni vjetor në muajin Maj 2018 të jetë 1,8 %. Rritja e çmimeve në këtë grup produktesh rezulton me 3,5 %.
Konflikti për ndërtimin a rikosntruksionin e Teatrit Kombëtar mes grupeve të interesit dhe Qeverisë vazhdon prej disa muajsh, njëkohësisht vazhdon të zhvelrësohet edhe puna e artistëve sipas tyre përmes çmimit shumë modest të biletës.
Nëse shkon për të parë një shfaqje në TK, do të shokohesh kur në sportel të kërkojnë 150 lekë për një biletë gjatë ditëve të javës. Kjo që prej emërimit në krye të këtij institucioni të Hervin Çulit. Por nëqoftëse vendos të dalësh për një kokteil, je e përgatitur se të paktën në Zonën e Ish Bllokut, për një të tillë do të paguash minimumi 700 lekë.
Muaji maji është muaji në të cilin zyrtarisht nis sezoni turistik dhe baret e shtrenjta në jug çelin aktivitetin e tyre në bregdet ku sigurisht çmimet janë tepër të kripura.
Me siguri produktet e argëtimit si rrjedhojë e nisjes së sezonit turistik kanë ndikuar në rritjen e inflacionit të këtij muaji, pasi shpenzimi për kuturën në një vend ku një person shpenzon në vit 6480 lekë për libra nuk mendohet të ketë një peshë të konsiderueshme në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Krahasuar me Majin e 2017-ës ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2,0 %. E në 2016 ky ndryshim ishte 0,7 %.
Në inflacionin e majit 2018 ka ndikuar edhe grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti” me 1,8 % secili, “Shërbimi arsimor” me 0,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante“ me 0,8 secili, “Komunikimi” me 0,7 %, etj.
Sipas INSTAT, në muajin Maj 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -1,4 %. “Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,5 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % dhe “Hotele, kafene dhe restorante“ me 0,1 %. Ndërsa, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shëndeti” u rritën me 0,1 % secili. Në grupet e tjera nuk pati ndryshime krahasuar me muajin e mëparshëm.”
Inflacioni i majit në BE
Sipas eurostat inflacioni vjetor i muajit maj rezulton më i lartë në Rumani dhe më i ulët në Irlandë.
Referuar grafikut, Shqipëria shënon të njëjtin inflacion me Maltën për muajin maj. Inflacioni vjetor në Eurozonë në muajin maj ka qenë 1,9%, duke konfirmuar vlerësimin paraprak të deklaruar dy javë më parë dhe duke shënuar një rritje në krahasim me 1.3% në prill. Sipas Eurostat në maj 2017 inflacioni ishte1,4%. Shifra është në përputhje me pritjet e tregut.
Krahasuar me muajin prill, rritja ishte 0.5%. Në BE, inflacioni vjetor arriti 2%, krahasuar me 1.5% në prill dhe 1.6% një vit më parë. Rritja më e ulët në çmimet e konsumit u regjistrua në Irlandë (0.7%) dhe Greqi (0.8%), më e larta në Rumani (4.6%) dhe Estoni (3.1%). Në maj, çmimet në eurozonë u rritën me shërbime (+0.72 pikë përqindjeje), energji (+0.58), ushqim, alkool dhe duhan (+0.5).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.