Ikën një spanjoll, vjen një tjetër spanjoll. Mungonte vetëm zyrtarizmi që tashmë ka ardhur nga klubi anglez i Arsenalit. Me anë të kanaleve zyrtare të komunikimit, Aresnali ka bërë të ditur se Mikael Arteta është trajneri i ri. Spanjolli ndahet kështu nga Pep Guardiola, pasi deri në këtë moment ka qenë ndihmësi i tij te Mançester Siti. Arteta, me origjinë baske, kthehet në Londër për të drejtuar ekipin, me të cilin është aktivizuar si futbollist vite më parë, kur Arsenali ishte në nivele më të larta se aktualisht.
Mikael Arteta zë vendin e Fredrik Ljungberg, suedezit që i drejtoi “Topçinjtë” në ndeshjet e fundit, pas shkarkimit të Unai Emeri. Ish-mesfushori bask ka luajtur 5 sezone me fanellën e Arsenalit, duke lënë gjurmë, ndërsa tani do ta drejtojë nga stoli, duke shfrytëzuar edhe përvojën e fituar nga mësuesi i tij te Siti, Pep Guardiola.

Trajneri i ri i Arsenalit do të debutojë nesër, në ndeshjen me Evertonin, që pret të zyrtarizojë edhe ai trajnerin e ri. Me shumë mundësi, do të jetë Karlo Ançeloti në krye të solit të Evertonit, pasi marrëveshja mes palëve është arritur dhe tashmë italiani ka shkëputur marrëdhëniet edhe me Napolin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.