Zgjedhjet në universitet nxorën fitues për rektor të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxhën, i cili fitoi ndaj Mimoza Hafizit dhe Kozeta Sevranit me 54% të votave.
Nëpërmjet një mesazhi falenderimi në rrjetin social "Facebook" Hoxha tha se tashmë do nisë një kapitull i ri, atë të transparencës, kolegjialitetit dhe ndërkombëtarizmit.
"Së bashku do punojmë fort për të kthyer në plan veprimi të gjithë platformën e dakordësuar me ju.
Së bashku do bëjmë të mundur që Universiteti i Tiranës t’u përkasë studentëve, pedagogëve dhe shoqërisë shqiptare," shkruan më tej Hoxha.
Vendin e Artan Hoxhës, si drejtues në Fakultetin e Drejtësisë e mori Sokol Mëngjesi.
Ndërkohë, zgjedhjet në universitet janë monitoruar dhe nga organizata jofitimprurëse Qëndresa Qytetare.
Rigels Xhemollari drejtues i organizatës i tha Gazetës "Si" se qëllimi i monitorimit ishte fshehtësia dhe liria e votimit.
"Nga vezhgimet paraprake janë vënë re problematika të ngjashme me ato që ndodhin në zgjedhjet politike si vonesat në fillimin e procesit, ndikimet për të votuar, përdorimi i telefonit dhe mos respektimi i masave dhe protokolleve anti-covid," theksoi Xhemollari.
Më tej ai tregoi se Qëndresa Qytetare do të japi një raport më të detajuarmë vonë.
Por këto zgjedhje nuk ishin dhe as nuk mbeten normale. Jo për shkak të pandemisë së Covid-19, por për shkak të përplasjes së mendimeve të titullarëve.
Mynyr Koni, ish-rektori i Universitetit të Tiranës, ka bërë thirrje edhe më herët se këto zgjedhje janë të paligjshme dhe nuk mund të realizohen.
Ndërkohë ai nuk ka një qëndrim nëse do e lirojë zyrën apo jo. Më herët Koni ka akuzuar Artan Hoxhën se është pasues i Dhori Kules dhe në një nga letrat e drejtuara në Ministrinë e Arsimit, Koni ka deklaruar se ka urdhëruar largimin e Hoxhës nga detyra sepse nxirrte akte në funksion të procesit zgjedhor në UT. Ndër të tjera Koni rreth dy muaj më parë tha se Hoxha së bashku me Kulen kanë krijuar kaos dhe konfuzion në personelin akademik.
Nga ana tjeter Xhemollari i tha Gazetës "Si" se mendon që Koni duhet të mbajë qëndrimin e para zgjedhjeve për të mos e njohur procesin.
"Ne i kemi kerkuar Presidentit të Republikës të mos dekretoje Rektorin që del nga zgjedhjet e UT dhe aktualisht jemi në një proces gjyqësor i cili zhvillohet ne 18 shtator për pavlefshmerinë e tyre. Pretendimet tona qëndrojnë dhe do të qëndrojnë për sa kohë kemi konstatuar paligjshmeri," thotë më tej Xhemollari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.