Politike

Arta Marku imiton Ramën, Berishën dhe Tahirin

Është e njohur tendenca e njerëzve të politikës për të qenë sa më të gjindshëm dhe të komunikueshëm me qytetarët. Por, nga kjo nuk ka shpëtuar as prokurorja e Përgjithshme, e cila në kulmin e garës për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës, ka ndryshuar strategji. Arta Marku ka rifreskuar të dhënat e CV-së në adresën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme përkatësisht www.pp.gov.al. Duke e cilësuar informacion personal, Arta Marku menjëherë pas emrit ka shtuar në jetëshkrim edhe numrin e telefonit, 0694113507, duke lënë të kuptohet se për çdo shqetësim mund të kontaktohet. Për më tepër, në jetëshkrim janë vendosur edhe dy adresa email-i , edhe personali edhe zyrtari. E ndërsa ky gjest për një prokuror është “surprizues” po të mbajmë parasysh natyrën e rezervuar që kanë prokurorët. Për ata që gjenden në politikë, telefoni është kthyer në një veprim afrimiteti me qytetarët.

Kryeministri Rama duke iu përgjigjur qytetarëve në facebook. Gazeta Si, 29 Gusht 2019

Rama
Në janar të vitit 2013, ende pa marrë drejtimin e vendit, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët t’i shkruanin në numrin e tij. Kjo ftesë për qytetarët duke lënë numrin personal u bë nga Rama në “Twitter”. Edhe sot Rama vijon t’u përgjigjet atyre që i shkruajnë, jo vetëm në faqen e tij në “Facebook”, por edhe në numrin e tij të telefonit. Gjatë protestës së studentëve, madje Rama u përfshi në debate të ashpra me shumë të rinj që i mësynë në Whats App.

Ish kryeministri Berisha me Ipad-in që nuk e ndan. Gazeta Si 29 Gusht 2019.

Berisha
Edhe ish-kryeministri Berisha jo vetëm që është shpikësi dhe krijuesi i qytetarit dixhital, por ai vazhdon të jetë i hapur me qytetarët. Ai ka publikuar numrin e tij në llogarinë në “Facebook” frazën “për mua ju jeni të parët. Më kontaktoni për pyetjet apo shqetësimet tuaja, më dërgoni sms në telefonin tim celular apo në Whats App 069 20 99410”.
Tahiri
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk zgjodhi rrjetet sociale për të servirur numrin e telefonit. Gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm, Tahiri deklaroi në një analizë vjetore se ishte i hapur për çdo ankesë ndaj qytetarëve ndaj shkeljeve të policëve. Tahiri e publikoi numrin personal 0682052748 në çdo komisariat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë