Biznes

Arsimi Profesional, Rama: Kemi mungesë kualifikimesh, jo njerëzish. Sipërmarrjet do trajnojnë punonjësit

Nga Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama, duke folur në Konferencën kushtuar Arsimit Profesional, deklaroi se tregu në Shqipëri sot ka nevojë për zanatçinj.

Rama theksoi se Shqipëria duhet që të vlerësojë kapitalin njerëzor.

“Tregu ka nevojë për zanatçinj, që të mos jetë me vende të lira pune që ngelen bosh. Ngelen bosh për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuara e jo nga mospagesa nga sipërmarrësit. Industria e turizmit po rritet me shpejtësi tepër të madhe. Duhet të vlerësojmë kapitalin njerëzor.

Nuk kemi mungesë njerëzish, por kualifikimesh. Mali i Zi ka pasur diferencë pagash me vendet e tjera të rajonit, diferenca është më e vogël tani, por sërish është e konsiderueshme. Kjo ndodh sepse Mali i Zi ka arritur të krijojë një industri të turizmit me reputacion të mirënjohur në botë. Shqipëria i ka të gjitha shanset që të zhvillojë akoma më shumë turizmin”, deklaroi Rama.

Rama tha se nevoja për krah të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe ka shënjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte, e cila ka nisur dhe intensiteti i të cilës po rritet në të gjithë Europën.

“Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies dramatike demografike të Europës, e cila na vë ne dhe vende si ne këtu në Europë përballë një sfide të dyfishtë, rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu pune gjithmonë e më kërkues për krah të kualifikuar dhe nga ana tjetër përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të pasura dhe mëdha të Europës për ta thithur këtë krah të kualifikuar pune”, tha Rama duke shtuar se sipërmarrja ka filluar të ndjejë lagështirën dhe të shoh me sytë e vet në përditshmëri kundërshtinë mes ambicies, nevojës dhe mundësive për t’u rritur dhe nga ana tjetër mungesës alarmante të kapaciteteve njerëzore.

Kryeministri u ndal tek industria e turizmit, duke thënë është një industri e re në Shqipëri që problemin e kanë te kapitali njerëzor.

“Kjo shkon në kundërshti me faktin që s’kemi mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve, s’kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe të kenë një rrugë të sigurt, por kemi mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë”, tha Rama.

Rama thotë se duhet të nisë një proces dialogu mes institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjeve dhe të bashkërendojnë forcat.

"Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektorin publik, qeveria, në nivelin qendror, bashkitë, shkollat profesionale shtetërore ose private. Është koha të ftojmë sipërmarrjen në nevojën e bashkërendimit të forcave, e investimit të përbashkët me kushte të qarta, me përfitim reciprok, për ne që të punësojmë me paga dinjitoze sa më shumë forca pune dhe për sipërmarrjen të këtë forca pune që i paguan në mënyrë dinjitoze dhe merr mbrapsht performancën dinjitoze”.

Kryeministri Edi Rama paralajmëron se së shpejti sipërmarrjet private do ofrojnë trajnime profesionale për të rinjtë. Rama tha se sipërmarrjet do plotësojnë detyrime dhe trajnimet profesionale do i kryejnë sipas nivelit të të ardhurave, por kryeministri nuk dha më shumë detaje.

Ndërkohë, kreu i qeverisë paralajmëroi sipërmarrjet që duhet të investojnë për arsimin profesional, duke thënë se shpreson që të gjejë mirëkuptimin e tyre, ose në të kundërt do i detyrojë me ndryshime ligjore.

“Do rrisim investimet publike në arsimin profesional, mbështetjen nga buxheti i shtetit dhe do u kërkojmë kompanive me hir, shpresoj që s’do jetë nevoja që pahiri i ligjit ta bëjë këtë punë, që të përfshihen në financimit e arsimit profesional", tha Rama.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se regjistrimet në shkollat profesionale për vitin akademik 2023-2024 janë rritur me 11 për qind krahasuar me një vit më parë ku dega e preferuar është Hoteleri Turizëm, ndjekur nga teknologjia e informacionit.

“Arsimi dhe formimi profesional ofrohet nga 29 shkolla profesionale dhe 10 qendra të formimit profesional në të gjithë vendin. 14,700 nxënës ndjekin arsimin e mesëm profesional publik për vitin shkollor për vitin 2023-2024. Janë regjistruar për herë të parë, 4709 nxënës, 11% më shumë se një vit më parë”, tha Gonxhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë