Futboll

Arsenali shkarkon trajnerin Emeri, Ljungberg merr drejtimin e ekipit

Unai Emeri nuk është më trajner i Arsenalit. Pas një viti e gjysmë, klubi londinez ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet kontraktuale me trajnerin spanjioll, i cili kishte kohë që rrezikonte shkarkimin.

Klubi nga veriu i Londrës mban aktualisht vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit dhe duhej ndryshuar diçka për të përmirësuar situatën. “Topçinjtë” kanë ndërprerë raportin me trajnerin Emeri dhe menjëherë kanë emëruar trajnerin e ri. Ai është ish-sulmuesi suedez i Arsenalit, Fredrik Ljungberg, por do ta drejtojë ekipin përkohësisht. Njoftimi zyrtar nga klubi i Arsenalit është bërë sot në mesditë.

Ljungberg, kur luante me Arsenalin. Tani ai do ta drejtojë përkohësisht këtë ekip. Gazeta Si, 29 nëntor 2019

Emeri u zgjodh trajneri i Arsenalit në verën e vitit 2018, kur pasoi legjendarin Arsen Venger, francezin që e drejtoi këtë skuadër për 22 vjet. Tashmë drejtimin e Arsenalit e ka marrë përkohësisht Ljungberg, 42-vjeçari që ka drejtuar së fundi ekipit U-23 të këtij klubi. Ai është një nga lojtarët e epokës së artë të Arsenalit të disa viteve më parë, kur luante në sulm bashkë me Tierri Henri. Drejtuesit e klubit kanë bërë me dije se janë në bisedime me disa kandidatë për të zgjedhur trajnerin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë