Ardhja e Fredi Ljungberg në krye të Arsenalit nuk e ka ndryshuar aspak gjendjen e “Topçinjve”. Humbja në shtëpi me Brajtonin, përveç pikëve të lëna, ka pasur edhe disa episode që kanë krijuar jo pak polemika. Tifozëve u ka sosur durimi dhe tashmë duket një luftë nervash te skuadra londineze.
Një çështje është ajo e sulmuesit dhe kapitenit të ri të skuadrës, Aubamejang. Gjatë ndeshjes së fundit ai ka vrapuar drejt dhomave të ndeshjes, pasi ka pasur nevoja personale, ndërkohë që Arsenali ishte në kërkim të golit të barazimit. Kritikat për këtë rast kanë vërshuar menjëherë, sepse situata është e tillë, Arsenali po përjeton momentin më të keq të 42 viteve të fundit. Sipas tifozëve, faj ka edhe sulmuesi nga Gaboni, i cili në momentin më të rëndësishëm të ndeshjes, u fut në dhomat e zhveshjes për të shkuar në tualet. Sipas asaj që shkruan “The Sun”, trajneri Ljungberg as që e vuri re që sulmuesi i tij mungonte. “Në fakt, nuk e kisha vënë re, e pashë që po kthehej në fushë pasi ishte zhdukur disa minuta”, - tha trajneri suedez.
Të paktën Aubamejang kishte një arsye të fortë për t’u zhdukur nga ndeshja, ndryshe nga shokët, të cilët ishin në fushë, por që nuk është se po bënin ndonjë gjë. Tifozët janë dukur shumë të nervozuar për këtë rënie të lirë të Arsenalit, që edhe lamtumira e trajnerit Emeri nuk e ndali. Ata nuk u kursyen aspak me ofendime ndaj shënuesit më të mirë të sezionit të shkuar në Premier League.
Më e keqja është se mbrëmjen e së enjtes ka pasur edhe episode të tjera të pakëndshme tek Arsenali. Pas ndeshjes, për t’i hedhur benzinë zjarrit ka menduar Mesut Ozil, i cili nisi të grindej me bashkombasin e tij Per Mertesaker. Fantazisti gjermano-turk, që ka gjetur hapësirë me trajnerin e ri, ka bërë gjeste ndaj mbrojtësit, i cili ruajti qetësinë dhe nuk reagoi ndaj sulmit të Ozilit. Një episod që nuk u ka shpëtuar kamerave dhe që pritet t’ia bëjë më të vështirë jetën Ozilit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.