Trajneri Unai Emeri e ka marrë vendimin: shiriti i kapitenit nuk do të jetë më në krahun e Granit Xhakës. Spanjolli ka menduar këtë zgjidhje pas incidentit që mesfushori kosovar i Zvicrës pati me tifozët e Arsenalit në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes me Kristal Palasin.
Kapiteni i ri i “Topçinjve” është sulmuesi Pierr-Emerik Aubamejang. Granit Xhaka u vërshëllye nga tifozët e tij teksa po dilte nga fusha gjatë ndeshjes me Kristal Palasin, që përfundoi 2-2. Ditët e fundit ai ka shpjeguar se ishte shumë i nervozuar me tifozët e Arsenalit për sulmet e shumta ndaj tij që për më tepër ishin shumë të rënda në ato moment të vështira, kur paraqitja e mesfushorit nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Sipas shtypit anglez, futbollisti 27-vjeçar e ka “pranuar” vendimin e trajnerit Unai Emeri. Mesfushori kosovar nuk është grumbulluar as për ndeshjen e radhës në Ligën e Europës ndaj portugezëve të Vitoria Guimaraesh. Arsenali po kalon një moment të keq në kampionat, ku mban vendin e 5-të me 17 pikë dhe nuk fiton prej tri ndeshjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.