Lajme

Arrestohet në Spanjë kapobanda e grupit “Bajri”, Enver Bajri

Policia e Shtetit, në koordinim me policinë spanjolle dhe policinë italiane kanë arritur të ndalojnë pak minuta më parë shtetasin në kërkim ndërkombëtar Enver Bajri.

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit nga Policia e Shtetit nëpwrmjet një operacioni të gjerë. Enver Bajri u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante, Spanjë.

Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese, arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij. Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”. Policia e Shtetit organizoi një operacion në lagjet Kiras e Dobraç të Shkodrës si dhe në Tiranë mbrëmjen e 21 shtatorit, duke vënë në pranga 9 anëtarë të grupit kriminal “Bajri”, ndërsa dy të tjerë, përfshirë edhe Behar Bajrin, i cili akuzohet se ka vrarë bashkëshorten vetëm 15 vjeçe, Fabiola Bajri, u arrestuan në Holandë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë