Drejtësia

Arrestohet ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës, e lidhur me një grup kriminal. SPAK: Pastronte paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për drogë

Gazeta Si - Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, i cila u arrestua këtë të enjte, dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal, me qëllim pastrimin e parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.

Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK sqaron se Rajmonda Dashi ka bashkëpunuar me dy vëllezër të dënuar në Belgjikë për trafik droge, me iniciale B.R., dhe L.R.

Këto veprime janë kryer për llogari të dy vëllezërve, të cilët policia i çoi në pranga pasi rezultojnë të dënuar për trafik droge në Belgjikë.

Ndaj ish-drejtoreshës, rëndojnë disa akuza. Aktualisht, Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste Kadastrës për zonën e Vorës dhe Kamzës.

Në dhjetor 2021, ajo dha dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i komanduar i Kadastrës së Durrësit.

“Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale  “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, - thuhet ne njoftim.

Ndërkohë, SPAK ka njoftuar se ka vënë nën sekuestro pasuritë e dy të arrestuarve. Aktivitetin kriminal, ata e kanë kryer në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M., dhe R.D., me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Pasuritë e sekuestruara

12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;

4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;

3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;

27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;

Një shoqëri tregtare;

2 (dy) automjete;


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë