Politike

Arrestimi i zyrtarit të FBI, Bardhi kallëzim në SPAK: Të hetohet Rama

Ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal i cili u arrestua në Nju Jork, përveç akuzës se ndihmoi oligarkun rus që sanksionuar nga SHBA, ndaj tij rëndon edhe akuza se mori 225 mijë euro ryshfet nga një ish zyrtar i inteligjencës shqiptare në vitin 2017 para se të dilte në pension.

Në një padi me pesë pika në Nju Jork, prokurorët pretendojnë se McGonigal, 54 vjeç, dhe Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus dhe bashkëpunëtor i oligarkut Oleg Deripaska, hetuan një oligark rival rus në këmbim të marrjes së pagesave sekrete nga Deripaska.

Deputeti i PD, Gazment Bardhi tha se zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.

Bardhi tha se ky është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në Nju Jork, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista.

Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.

Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politik është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikan  të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politik”, tha Bardhi.

Ai njoftoi se i është drejtuar SPAK që të nis hetimet për kryeministrin Edi Rama.

“SPAK të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë :

1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;

2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;

3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal.

SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA...” tha Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë