Deputeti i PS, Pjerin Ndreu, ka komentuar arrestimin e dy ish-deputetëve të PS, Arben Ndoka dhe Arben Çukos.
Deputeti ka thënë pas mbledhjes së grupit të PS se ka rezerva për mënyrën si ka vepruar Prokuroria dhe Policia me këto raste. Sipas tij është vepruar me dy standarde në ndalimin e tyre.
Ndreu ka bërë thirrje për qetësi, duke kërkuar pritjen e rezultateve përfundimtare të hetimeve.
“Nuk marr përsipër të gjykoj provat. Kam rezerva për mënyrën skandaloze të veprimit, sjelljen skandaloze dhe se si kanë vepruar me mënyrën e arrestimit. Dhe praktikimin e dy standardeve, një grup që quhet i parëndësishëm dhe merret Prokuroria lokale dhe një grup tjetër që merret Prokuroria e Krimeve të Rënda. Duhet shihen me qetësi këto gjëra. Ne si forcë politike nuk mbështesim asnjë veprim të paligjshëm, por mënyra e të proceduarit të Prokurorisë dhe policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme. Të presim verdiktin e drejtësisë e të flasim për të tjerat”, tha Pjerin Ndreu.
Sipas policisë ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, akuzohet për “Tjetërsim pronash”, si dhe për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Ish-drejtori i Burgjeve dhe ish-deputeti i PS-së, Arben Cuko, akuzohet si i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve. Dyshohet se ai ka marrë një shumë parash dhe një makinë, në këmbim të transferimit të të dënuarit Olsi Karagjozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.