Drejtësia

‘Arrest shtëpie’ për avokatin, i mori dy personave 25 mijë euro për të ndikuar te gjyqtari

Gazeta Si - GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për avokatin Petraq Semani, pasi dyshohet se ka marrë 25 mijë euro me qëllim për të ndikuar tek gjyqtarët dhe për të favorizuar masën e dënimit ndaj një shtetasi që akuzohet për ‘plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen’.

“Nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Petraq Semani ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se Semani, në cilësinë e avokatit i ka kërkuar dhe marrë dy personave me iniciale Ll.D., dhe S.D., një shumë monetare prej 25 mijë eurosh.

Ai premtonte se do të ndikonte tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll.D., për favorizimin e masës së dënimit.

Sipas SPAK, Semani më 6 mars 2019 ka marrë një shumë prej 9.550 eurosh në banesën e shtetasit Ll.D., dhe është regjistruar me audio e video nga rrethi familjar e shoqëror i këtij personi.

Pjesa tjetër e parave të kërkuara, sipas shtetases S.D., dhe disa personave të tjerë që kanë dijeni për veprën penale, janë dhënë më vonë në disa këste deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në Shkallën e Parë.

Më 11 shkurt 2020, Gjykata e Korçës e ka deklaruar fajtor shtetasin Ll.D., për plagosje të rëndë me pasojë vdekjen dhe e ka dënuar me 15 vjet burg.

Në të njëjtën masë dënimi ishte dënuar edhe herën e parë në vitin 2018 nga Gjykata e Korçës. Për këtë arsye Semani i ka kthyer shtetases S.D., 8 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër nuk e ka kthyer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë