Futboll

Armando Broja një hap larg Uest Hemit, ofertë 35 milionë euro për Çelsin

Gazeta Si – Armando Broja është një hap larg Uest Hemit. Sipas ‘La Gazzeta Dello Sport’, sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të lërë Çelsin për ekipin tjetër londinez, duke zhbllokuar kështu situatën me sulmuesin Skamaka, që kërkohet nga Roma.

Broja qëndroi në Londër, nuk udhëtoi me ekipin për në turneun amerikan. Kjo ka edhe një shpjegim, sepse lojtari kuqezi vjen nga një dëmtim që e ka mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë, por në mes është edhe merkatoja.

Armando Broja me fanellën e Shqipërisë. Gazeta Si, 20 korrik 2023

Sulmuesi shqiptar, gjithmonë sipas gazetës prestigjioze italiane, është objektivi numër 1 i Uest Hemit të trajnerit Devid Mojes, i cili e kërkon për ta aktivizuar në qendër të sulmit për të fituar më shumë thellësi.

Broja po stërvitet në Cobham, bashkë me Xhejms, Kolluell dhe Galagher. Zyrtarisht për të kompletuar rikuperimin e gjurit të djathtë, që e dëmtoi në dhjetor të vitit të kaluar. ‘Durim’ – shkruante sulmuesi në rrjetet sociale, por duket se Çelsi e ka lënë në shtëpi edhe për faktin se bisedimet me Uest Hemin kanë avancuar.

Kjo skuadër e ka kërkuar futbollistin kuqezi edhe verën e kaluar, kurse tani po këmbëngul me një ofertë 35 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset. Mojes nuk është i kënaqur nga 3 sulmuesit dhe që të gjithë janë në rrezik. Nuk do të ikin që të tre, por me blerjen e Brojës situata ndryshon.

Në anën tjetër, hapësirat për sulmuesin kuqezi te Celsi mund të ngushtohen nga blerja e Nikolas Xhekson nga Vilareali për 37 milionë euro. Ndoshta do të ishte më mirë që Broja ta provonte fatin me një skuadër tjetër, po në Premier Ligë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë