Futboll

Armando Broja lëshon sfidën: Jam gati për një sezon të madh me Çelsin!

Gazeta Si – Dëmtimi në gju është lënë pas, Armando Broja po stërvitet rregullisht me Çelsin në përgatitjet verore. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, duke folur për kanalin zyrtar të klubit londinez, ka theksuar se është gati për një sezon të madh.

“Jam rikthyer në stërvitje dhe ndihem shumë mirë, sepse jam përsëri në skuadër, mes shokësh. Ishte një kohë e gjatë jashtë skuadre, i vetmuar, një periudhë aspak e lehtë, por tani jam i lumtur që po shijoj fushën.

Armando Broja me fanellën e Shqipërisë. Gazeta Si, 12 korrik 2023

Pres një sezon të madh, ndaj më duhet të përgatitem sa më mirë. Nuk është e lehtë të kthehesh pas një dëmtimi aq të rëndë. Tani dua vetëm të rikthehem në formën optimale dhe të zhvilloj një sezon të madh”, - është shprehur Broja.

Sulmuesi i ka munguar edhe Kombëtares kuqezi në ndeshjet e fundit. Për dy sfidat e shtatorit me Çekinë dhe Poloninë, që vendosin shumë për kualifikimin e mundshëm në Europianin 2024, ai do të jetë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo. Një ‘armë’ më shumë për kuqezinjtë, për të kaluar me sukses dy pengesat më të vështira drejt ëndrrës europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë