Futboll

Armand Duka fiton mandatin e dytë në UEFA, edhe 4 vjet në Komitetin Ekzekutiv

Gazeta Si – UEFA ka rizgjedhur edhe për 4 vjet të tjera Aleksander Ceferin në krye të saj, ndërsa Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka fituar mandatin e dytë në Komitetin Ekzekutiv të qeverisë së futbollit europian.

Duka do të jetë një nga nëntë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s deri në vitin 2027. Presidenti i FSHF-së ka marrë 45 vota, duke qenë kështu edhe më i votuari në Kongresin e UEFA-s, që u zhvillua sot në Lisbonë, ku merrnin pjesë drejtuesit e 55 federatave europiane.

Ceferin dhe Duka gjate nje takimi ne Tirane. Gazeta Si, 5 prill 2023

Rizgjedhja e Dukës në KE-së e UEFA-s është një lajm pozitiv për futbollin shqiptar, që do të ketë një përfaqësues në organin vendimmarrës të institucionit që drejton futbollin europian. Kreu i FSHF-së ishte zgjedhur për herë të parë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në vitin 2019.

‘Jam i nderuar që vendet anëtare të UEFA-s më rizgjodhën në qeverisjen europiane për një mandat të dytë. Numri i vendeve që më mbështetën, 45 shtete, është një sfidë e përgjegjësi më e madhe për të mos rreshtur punën mbi vlerat që na bashkojnë: diversitet, respekt e barazi. Bashkë do të punojmë në 4 vitet e ardhshme për më shumë projekte konkrete për futbollin”, - shkruan Duka në faqen e tij pas rizgjedhjes.

Duka dhe Ceferin pas rizgjedhjes ne postet e meparshme. Gazeta Si, 5 prill 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë