Futboll

Armand Duka dhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së zgjidhen në komisionet e UEFA-s

Gazeta Si – Detyrë e re për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, njëkohësisht edhe pjesëtar i Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s, që u mblodh sot në Nion të Zvicrës për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme për zhvillimin e futbollit europian. Në këtë mbledhje u bë edhe përzgjedhja e komisioneve dhe paneleve të reja të UEFA-s.

Armand Duka fitoi mandatin e dytë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në muajin prill. Ai është konfirmuar sot në postin e nënkryetarit të Komitetit HatTrick, një prej organeve më të rëndësishme në qeverinë e futbollit europian. Po ashtu, presidenti i FSHF-së është zgjedhur në postin e kryetarit të Komisionit të Medias në UEFA.

Duka dhe Ceferin. Gazeta Si, 28 qershor 2023

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, është zgjedhur anëtar i Komisionit të Futbollit në UEFA. Pjesë e komisioneve të UEFA-s do të jenë edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së. Anila Basha është zgjedhur anëtare e Komisionit për Futbollin e Femrave, kurse Envi Hicka do jetë anëtar i Komisionit Ligjor të UEFA-s.

Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, është zgjedhur anëtar i Komisionit të Zhvillimit dhe Asistencës Teknike në UEFA. Drejtori i Edukimit në FSHF, Sulejman Starova është përzgjedhur anëtar i Panelit Jira, ndërsa përgjegjësi i Futbollit të Fëmijëve në FSHF, Andi Zëre, është zgjedhur anëtar i Panelit të Futbollit Grassroots.

Drejtori i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, është përzgjedhur anëtar i Panelit të Konventës së Arbitrave. Gazmend Malo do të jetë anëtar i Komisionit Këshillimor të Marketingut në UEFA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë