Taksa

Arkëtimet e buxhetit, me suficit edhe në 9-mujor. Tatim fitimi me rritjen më të madhe

Nga Gazeta 'SI' - Për 9 muajt janar-shtator 2022, buxheti i shtetit arkëtoi 425.7 mld, duke u rritur me rreth 16% nga një vit më parë, ose 58 mld lekë më shumë.  379.9 mld lekë erdhën nga të ardhurat e Tatimeve dhe Doganave, 19% më shumë se 9 mujori i 2021-shit.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 164.4 miliardë lekë, 21% më shumë se 9 mujori 2021.

Të ardhurat nga TVSH në import për 9 mujorin rezultojnë 115.5 miliardë lekë, 27.1 % më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 39.4 miliardë lekë, 3.9% më shumë se viti 2021.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.3 miliardë lekë, 1.5 miliardë ose 87.5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 98.5% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.3 miliardë lekë, 16.7% më shumë se 9 mujori 2021.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT),  për 9 mujorin 2022 u realizuan në masën 215.5 miliardë lekë, 17.7% më shumë se 9 mujori i vitit të kaluar.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 28.4 miliardë lekë, 8 miliardë ose 39.4% më shumë se 9 mujori 2021, 6.9% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 9 mujorin 2022.

Rimbursimet për periudhën 9 mujore 2022 janë 13.8 miliardë lekë, 33.7% më pak se 9 mujori 2021

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 34 miliardë lekë, 36.9% më shumë se 9 mujori 2021.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 34.1 miliardë lekë, 13% më shumë se 9 mujori 2021.

Taksat nacionale, për periudhën 9 mujore 2022 u realizuan në masën 31.9 miliardë lekë 9.2% më shumë se 9 mujori 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 87.1 miliardë lekë, 10.9% më shumë se 9 mujori 2021.

Vetëm në shtator u arkëtuan në buxhet gati 49 miliardë lekë, me rritje 13.7% në krahasim me shtatorin e 2021-n. Sipas Ministrisë së Financave, pas ngadalësimit në korrik, ritmet e rritjes së të ardhurave janë përshpejtuar sërish në gusht dhe në shtator.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 411 miliard lekë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.7% më i lartë ose rreth 12.9 miliard lekë më shumë. Shpenzimet korente për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 344.1 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.9% më i lartë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 9 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 50.7 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 29.5% më i ulët.

Niveli i suficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15 miliard lekë nga rreth 18 milion lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë