Lajme

Ardi Veliu takon homologun holandez Akerboom

Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, ka marrë pjesë në takimin e Drejtorëve të Policive Europiane që zhvillohet në qendrën e Europol në Hagë, Holandë.

Veliu shoqërohet nga shefi i Zyrës Kombëtare Europol dhe oficeri i kontaktit të Policisë së Shtetit në Europol.

Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të Holandës, Erik Akerboom.

Në këtë takim ai falënderoi drejtorin e policisë holandeze për bashkëpunimin gjatë operacionit të fundit të koduar “OAZ”, që u finalizua në bashkëpunim me Policinë holandeze ku u godit një grup kriminal që operonte në Shqipëri dhe Holandë.

Ndërsa, Erik Akerboom në fjalën e tij theksoi se ky operacion tregoi nivelin e besimit ndërmjet dy policive dhe konfirmoi se do të pasohet nga shkëmbime të mëtejshme informacionesh dhe operacione të tjera të përbashkëta.

Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë holandeze shprehu falënderime për punën e policisë shqiptare dhe të oficerëve të kontaktit në të dy vendet.

Në fund të takimit Veliu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm Akerboom për një vizitë në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga homologu holandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë