Njerez

Arbitri brazilian i kthehet profesionit të infermierit: Jam më i vlefshëm kështu!

Në moshën 39-vjeçare ishte bërë një nga arbitrat e futbollit më të vlerësuar dhe më të njohur në vendin e tij, në Brazil, por pandemia e koronavirusit e ka bërë që të kthehet në profesionin e mëparshëm, atë të infermierit. Protagonist i kësaj historie është Igor Benevenuto, arbitër i "Brasilerao", i kategorisë elitare të futbollit brazilian dhe profesionist në këtë aktivitet me kohë të plotë.

Për t’iu dedikuar arbitrimit, ai kishte lënë punën e infermierit që bënte më parë, pasi kishte më shumë pasion të gjykonte ndeshjet e futbollit. Në këtë periudhë të vështirë për shkak të Covid-19, Benevenuto ka vendosur të bëjë atë që bënte para se futbolli ta bënte për vete, të ndihmojë të sëmurët në një spital të Sete Lagoas, qyteti ku jeton, 80 kilometra larg Belo Horizontes.

"Natyrisht që kam frikë, më shumë se kur arbitroj një ndeshje futbolli, sepse ka pasur edhe raste të infermierëve që për shkak të virusit kanë ndërruar jetë, - ka shpjeguar për mediet lokale arbitri brazilian. - Është një armik që mund të godasë këdo, persona të moshave të ndryshme, por tani njerëzit kanë nevojë për mua dhe nuk mund të tërhiqem. Këtu jam më i vlefshëm".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë