Lajme

Arbër Çekaj: Gjyqin ta ndjekë ambasada e SHBA dhe ajo gjermane

Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” kërkoi sot nga salla e gjyqit që përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane të jenë të pranishëm në procesin ndaj tij.

Duke sjellë në vëmendje deklaratat e ish-ambasadorit amerikan, Donald Lu, që e konsideroi “peshk të madh”, Çekaj u shpreh se kërkonte të ishin të pranishëm për të parë që “gjyqi është fars”.

“Drejtuesi i ambasadës amerikane më ka konsideruar peshk të madh, duke iu referuar të dhënave të prokurorisë. Kërkoj që e nderuara ambasadë të jetë e pranishme për të kuptuar se kush është peshk i madh dhe kush jo. Kush merret me kokainë, e kush me banane. Meqë kanë investuar shumë në SPAK”, është shprehur Çekaj.

Seanca e sotme ku pritej të lexohej mbrojtja dhe jepej vendimi, u shty më 19 shkurt për mungesë të mbrojtjes. Kjo është e disata herë që shtyhet seanca për të.

Arbër Çekaj akuzohet për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë që u zbulua në magazinat e kompanisë së tij Arbri Garden në Maminas, ndërsa për rreth një vit u mbajt i arrestuar në Gjermani, dhe u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë më 19 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë