Futboll

Arben Minga, “Lojtari i Shekullit” te Tirana

Në faqen zyrtare, Tirana publikoi rezultatet e sondazhit që hapi pak ditë më parë, për të zgjedhur futbollistin simbol në këtë shekull të historisë bardheblu. Rezultatet kanë treguar se vetëm një lojtarë mund t’i kënaqë thuajse të gjithë. Ai është i ndjeri Arben Minga.

I zgjedhur si lojtari më i mirë dhe më i preferuar në historinë e klubit kryeqytetas, ai do të jetë imazhi i klubit në 100-vjetorin e tij, si pjesë të festimeve për këtë datë të shënuar.

Karriera –Debutimi mes të mëdhenjve, erdhi më 20 nëntor 1977, në sfidën 17 Nëntori-Shkëndija, ndërsa goli i parë më 2 prill 1977, në fitoren e 17 Nëntorit 3-1 ndaj Luftëtarit. Gjatë karrierës brilante, Minga u bë simboli i mosdorëzimit, sakrificës dhe përkushtimit, për të ndihmuar në futbollin total të asaj Tirane. Për disa vite, mbajti në krah shiritin e kapitenit. Ai ndihmoi skuadrën në fitoren e 7 kampionateve, 4 Kupave të Shqipërisë dhe 1 Superkupë, ndërsa do të shpallej edhe golashënuesi më i mirë në sezonin 1984-85 (13 gola). Ai gjithashtu numëron tre pjesëmarrje në Kupat e Kampionëve dhe një herë në Kupën e Kupave.

Minga dha kontribut edhe te kombëtarja, fillimisht me ekipin “Shpresa”, ku i dha vendit dy trofe ballkanike, në vitet 1978 dhe 1981. Nga U-21 te kombëtarja e madhe, aty ku shtatlartësia do të bënte shpesh diferencë, nisur edhe nga fakti se brezi i artë i viteve ’80 te Tirana përbënin edhe ekipin përfaqësues më së shumti. Goli i famshëm ndaj Belgjikës, më 1983, në fitoren 2-0 në “Qemal Stafa”, konsiderohet si një nga golat më të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar.

Për karrierën e lavdishme, Minga është nderuar me titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar” si dhe “Nderi i Tiranës”. “15-katëshi Minga” u nda nga jeta në moshën 47-vjeëare në 31 janar të vitit 2007 në Kanada.

https://www.facebook.com/kftirana.al/posts/2548408832081890

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë