Njerez

Arben Fagu, legjenda e basketbollit që nuk fitoi dot ndeshjen më të rëndësishme

Sporti shqiptar u zgjua mëngjesin e së premtes me një lajm shumë të hidhur. Arben Fagu, pedagogu, ish-basketbollisti, trajneri i mirënjohur i Partizanit dhe i ekipit tonë kombëtar, u largua para kohe nga kjo jetë, në moshën 64-vjeçare. Nuk ia doli të fitonte “ndeshjen e fortë” me sëmundjen e rëndë ku në muajt e fundit i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Sporti shqiptar ka humbur një figurë të rëndësishme, një njeri të madh dhe tepër miqësor me të gjithë.

Një lajm vërtet i trishtë që tronditi të gjithë komunitetin e basketbollit në vend dhe më gjerë. Të trishtuar kanë qenë ata që kanë bërë sport dhe kanë punuar bashkë me të. Beni, siç e thërrisnin të gjithë, ishte pinjoll i një familjeje që ka shkruar historinë e sportit shqiptar. I biri i Besim Fagut një nga themeluesit e klubit Partizani dhe vëllai i legjendës së koshit shqiptar Agim Fagu. Arbeni vijoi traditën e familjes duke qenë pjesë e pandarë e ngjyrave të kuqe. Ai gjithashtu ka drejtuar edhe ekipe si Dinamo, Studenti apo Universitetin Amerikan të Tiranës, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e basketbollit në vend.

I dalë nga shkolla e basketbollit Partizani, që në moshën 18 vjeçare, Arben Fagu bëhet pjesë e skuadrës së parë, me trajner legjendën Njazi Lleshi, duke mbajtur për 12 vite veshur fanellën e kuqe. Me Partizanin fiton plot 11 tituj kampion si lojtarë. Më pas në vitin 1984 filloi karrierën si trajner profesionist, duke drejtuar fillimisht Dinamon, për të vijuar me Studentin, Universitetin Amerikan të Tiranës dhe Partizanin, skuadër të cilën e ka drejtuar për 7 vite, për t’u tërhequr vetëm disa muaj më parë. Fagu gjithashtu ka drejtuar edhe kombëtaren e të rinjve, si dhe atë të të rriturve.

Ndarjen nga jeta të trajnerit të njohur e konsideroi humbje të madhe edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi të ndjerë në Facebook, duke qenë se ka pasur njohje të afërt me të si ish-basketbollist, Rama tha se “kujton me mallëngjim të qeshurën e tij” dhe se nuk e imagjinon dot “dhimbjen që po kalon familja Fagu”.

“Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shëmbëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar – u shpreh Rama.

Fagu, përveçse për pasionin, përkushtimin, disiplinën dhe seriozitetin do të mbahet mend edhe si një prej njerëzve që nuk heshti asnjëherë kur bëhej fjalë për të denoncuar padrejtësitë dhe problematikat, duke luftuar për zhvillimin e basketbollit në vendin tonë.

Me vlerësim për figurën e Arben Fagut është shprehur edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij.

Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm. Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij.

Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar! Lamtumirë Kampion! ”, shkruante Presidenti Ilir Meta pas lajmit për ndarjen nga jetë të kampionit të buzëqeshur të basketbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë