Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka hapur një tjetër dosje ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas “Report Tv”, Ahmetaj është marrë si i pandehur nga prokurori Elvin Gogaj pas mbylljes së hetimit për privatizimin e një fabrike në periferi të kryeqytetit.
Denoncimi për çështjen e kanë bërë ish-pronarët, familja Myderizi, ndërsa mendohet se dëmi i shkaktuar shkon në 7 miliardë lekë.
Nën hetim mësohet se janë edhe 6 persona të tjerë të përfshirë në çështje dhe në pagesat e realizuara. Sipas dokumenteve për të njëjtën çështje ka diskutuar më parë edhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, por duke refuzuar të nisë procedurat.
Ankandi në fjalë është hapur në vitin 2014, ku dhe është realizuar shitja e parë e aksioneve shtetërore.
Familja Muderizi ka bërë të ditur se në vitin 1994 u është njohur pronësia nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndaj ata kishin edhe të drejtën e parablerjes.
Por duket se një gjë e tillë nuk është respektuar, duke u pasuar edhe me veprime në SPAK.
Ahmetaj prej korrikut të këtij viti është shpallur në kërkim, pasi SPAK ka nënshkruar fletën e arrestit, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të parave lidhur me dosjen e incineratorit të Elbasanit dhe të Fierit.
Pasi Parlamenti votoi pro kërkesës së prokurorisë për t’i hequr imunitetin, avokatët e ish-zëvendëskryeministrit deklaruan se ai ishte larguar drejt Britanisë së madhe, por ende nuk ka një rezultat për vendndodhjen e tij.
Javën e shkuar, kreu i SPAK, Altin Dumani pohoi në një takim informal me gazetarët se së shpejti do të ketë zhvillime surprizë për Arben Ahmetajn.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.