Nga Gazeta ‘Si’- Administrata Tatimore ka njoftuar hapjen e procesit të aplikimit për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet mund të kryhen online në sistemin “e-filing” nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026. Të drejtën për të aplikuar e kanë tatimpaguesit subjekt të Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi, të cilët ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri dhe kanë realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë gjatë vitit tatimor paraardhës.
Administrata Tatimore sqaron se aplikuesit duhet të mos kenë detyrime tatimore të papaguara apo të padeklaruara, të mos jenë në proces ankimi administrativ apo hetimi nga organet tatimore dhe të mos jenë subjekt i procedimeve penale ose dënimeve të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim parash apo fshehje të ardhurash. Gjithashtu, nga kjo skemë përjashtohen subjektet që realizojnë projekte koncesionare.
Kërkesa paraqitet në rubrikën “Çështjet e mia” në sistemin “e-filing”, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, ku përfshihen vërtetime nga Prokuroria, dëshmi penaliteti për administratorët dhe pronarët përfitues, dokumente që vërtetojnë mungesën e ankimeve administrative, si dhe vetëdeklarime sipas kërkesave të ligjit.
Vendimmarrja për pranimin ose refuzimin e aplikimit do t’u komunikohet tatimpaguesve brenda pesë ditëve kalendarike nga verifikimi i dokumentacionit, por jo më vonë se data 10 qershor 2026. Ndërkohë, dokumentacioni i nënshkruar përfundimisht duhet të dorëzohet pranë drejtorive rajonale tatimore brenda datës 15 qershor.
Për subjektet që zgjedhin të rideklarojnë pasqyrat financiare për vite të mëparshme, afati për pagesën e detyrimeve dhe dorëzimin e dokumentacionit përkatës është caktuar data 30 qershor 2026.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që plotësojnë kriteret ligjore të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar, duke paralajmëruar se kërkesat e paraqitura pas datës 5 qershor nuk do të merren në shqyrtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje