Njerez

Aplikim për pasaporta nëpër ishujt grekë, 1 javë afat për emigrantët shqiptarë

Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë nëpër ishujt e Greqisë dhe që u kanë skaduar, apo u skadojnë dokumentat e identifikimit, si pasaporta biometrike apo karta e identitetit do ta kryejnë aplikimin për rinovimin e tyre nga shtëpia.

Ambasada Shqiptare në Athinë njoftoi se do të ndërmarrë ture nëpër qëndrat kryesore të ishujve grekë për të shmangur radhën në selinë e kësaj ambasade.

Për këtë qëllim, duke filluar prej ditës së sotme, 6 shtatir 2020 ka nisur mbledhja e kërkesave përmes postës online dhe hartimi paraprak i listave. Pas këtij procesi do të përzgjidhen pikat që do të përfshijnë një rreze më të gjerë të vendbanimeve të shqiptarëve nëpër ishujt grekë.

Ambasada fton qytetarët që u kanë skaduar, apo u skadojnë këto dokumenta që të aplikojnë në adresën [email protected] me subjekt “Aplikimet në ishull. Të dhënat që duhet të plotësohen në këtë aplikim janë emër/mbiemër, numër personal identifikimi, kodi i aplikimit, data e skadencës së pasaportës, adresa e banimit (ishulli) dhe rajoni në të cilin përfshihet ky ishull.

Ambasada sqaron se prioritet do të kenë aplikimet për qytetarët të cilëve u ka skaduar, ose skadon deri më 31 dhjetor pasaporta, ndërsa afati i aplikimeve për fazën e parë, pra për plotësimin përmes postës elektronike të kërkesës është deri më 13 shtator.

Janë me mijëra qytetarë shqiptarë që rrezikojnë t’u digjen lejet e qëndrimit dhe lejet e punës në Greqi për shkak të skadimit të pasaportës. Një pjesë e mirë e tyre e kanë pasur të pamundur të aplikojnë për rinovim për shkak të radhëve të gjata të shkaktuara në Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe masave kufizuese për Covid-19, që ka izoluar sidomos shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në ishujt grekë.

Në lidhje me këtë problematikë, kanë ndërhyrë edhe autoritetet greke përmes Ministrisë së Brendshme, që vendosi pak ditë më parë që të rinovojë lejet e qëndrimit dhe të punës për shqiptarët që u ka skaduar pasaporta gjatë masave kufizuese anti-Covid19, apo që u skadon deri më 31 dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë