Drejtësia

Apeli lë në burg turkun Fatih Ozer të akuzuar për mashtrim me kriptomonedha

Gazeta Si - Lihet në burg shtetasi turk Faruk Fatih Özer, i cili akuzohet se është arratisur nga Turqia për mashtrim të mijëra shtetasve turq për të investuar në kriptomonedha.

Kështu, Gjykata e Apelit Durrës, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit më herët më 2 shtator 2022 me masën e sigurisë "arrest me burg".

Policia ra në gjurmët e Faruk Fatih Ozer rreth 10 ditë para se ai të arrestohej më 30 gusht në Palasë, ndërsa besohet se ai është mbajtur nën përgjim, deri në arrestimin e tij.

Më 20 prill të vitit 2021 ai u arratis nga Turqia ku akuzohet kishte mashtruar qindra qytetarë, të cilët investuan paratë në monedhën virtuale turke “Thodex”, një sipërmarrje e dyshuar si mashtruese që drejtohej nga Ozer.

Në dosjen hetimore e cila po gjykohet nga Gjykata e Lartë e krimeve në Stamboll, në aktakuzën kundër Ozer përmenden të paktën 2 mijë e 27 viktima, të skenës mashtruese të tij, ndërkohë që prokuroria atje ka kërkuar 40 mijë e 540 vite burg për akuzat e “krijimit dhe drejtimit të një organizate”, “pastrimit të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi” dhe "mashtrim i me pasoja të rënda".

Ozer ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke në prill 2021 për mashtrim me pasoja të rënda përmes skemës së kriptomonedhave.

Kompania përmes të cilës vepronte Faruk Fatih Özer shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Atëherë u deklarua se “vlera e mashtrimit që shtetasi turk Faruk Fatih Özer ka kryer është rreth 2 miliard dollarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë