Drejtësia

Apeli i Tiranës vendos ekstradimin e mashtruesit kinez

Gazeta Si - Shtetasi kinez Liangbin Chen, i cili akuzohet për mashtrim kompjuterik me miliona euro, do të ekstradohet drejt Kinës.

Gjykata e Apelit të Tiranës e ka marrë vendimin këtë të martë, ndonëse ai refuzoi ekstradimin.

Kështu, Apeli i Tiranës vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 805, datë 13.10.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i hapur rrugë autoriteteve kineze që të marrin në ngarkim të riun.

Më herët, Prokuroria e Apelit kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”.

Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik, rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”.

Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit në 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore në fluturimin Londër-Tiranë.

Chen njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro.

Ndaj 32-vjeçarit, fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte që kishte sëmundje në kokë.

Çështja më pas shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.

Por në fund, Apeli i Tiranës vendosi përfundimisht për ekstradimin e tij drejt Kinës, duke i dhënë fund kësaj çështjeje pas 6 muajsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë