Drejtësia

Apeli i GJKKO rrëzon ankimin e familjarëve të viktimave, dosja e ’21 janarit’ i kalon Prokurorisë së Tiranës

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar ankimimin e bërë nga familjarët e viktimave të "21 janarit", në lidhje me kompetencën e hetimit të një audiopërgjimit të ri të komunikimit të punonjësve të Gardës ditën e ngjarjes.

Familjarët kanë kërkuar që dosja të merret në dorë nga SPAK, sepse nuk kanë besim të Prokuroria e Tiranës, mirëpo Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë, jo vetëm për padinë e tyre të depozituar më 16 shkurt, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se institucioni që ai drejton është një pritje se çfarë do të dalë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, për të marrë ndërmarrë hapa të mëtejshëm.

Ai theksoi se në rast se nga hetimet do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi, atëherë dosja do të merret në dorë nga vetë SPAK, siç ata kërkojnë.

Kallëzimet e reja erdhën pas publikimit të një audio përgjimi nga xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nikaj, ku pretendohet se flet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, i cili jep urdhër për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve.

Mark Nikaj ka deklaruar se materialin filmik të plotë nuk mund ta besonte askund tjetër përveç se tek Altin Dumani.

Në jnar të këtij viti, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja depozitoi në SPAK kallëzimin për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi në kuadër të hetimit për dosjen e 21 janarit.

Sipas dokumentit, Berisha, Basha dhe Prendi akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shpërdorim detyre”.

Po kështu, pak ditë më vonë, edhe Partia Socialiste depozitoi në SPAK një kallëzim të ri pas publikimit të një audio përgjimi të ri në media.

Gjatë protestës së 21 janarit 2011 të organizuar nga Partia Socialiste, asokohë në opozitë, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Për këtë ngjarje, PS akuzoi kryeministrin Sali Berisha dhe drejtues të lartë të asaj kohe të mazhorancës në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë