Drejtësia

Apeli i GJKKO lë në fuqi pezullimin nga detyra e ish-Prefektit të Kukësit, Granit Gjana

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së ndaj ish-nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana.

Ai është në hetim për shkelje të barazisë për dy tenderë me vlerë 210 milionë lekë të vjetra për karburantet.

Dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti. 

Sipas SPAK, Gjana, në shkelje të ligjit, nuk ka pajisur me autorizim për përdorimin e lëndëve djegëse një subjekt që garonte për një tender me vlerë 21 milionë euro për furnizim me karburant.

“Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit, pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj, i cili u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë