Rend dhe Ligj

Antiterrorizmi, ligji i ri për sekuestrimin e parave në kufi

Çdo person që nuk deklaron në pikat doganore dhe kufitare sasinë e vlerave monetare që disponon do t’i sekuestrohen shumat dhe do të detyrohet që të paguajë edhe gjobë.
Qeveria ka ndërmarrë nismën për të ndryshuar ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, duke përcaktuar kritere të reja më të forta për transaksionet e dyshimta në banka dhe në shitblerjet e pasurive të paluajtshme, si dhe në lëvizjet përgjatë kufirit.
Në ligjin aktual ishte parashikuar detyrimi i deklarimit të parave që mban me vete përgjatë në pikat kufitare, porse me nismën më të re të qeverisë parashikohen edhe rastet e penalizmit. Çdo person i cili hyn apo largohet nga Shqipëria është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10.000 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbartjes së tyre si dhe dokumente justifikuese përkatëse. Një deklarim i tillë është i detyrueshëm, sipas draftit të ri që disponon Gazeta SI, edhe për persona që hynë apo largohen me mjete nga territori shqiptar, kur këto transportohen nëpërmjet shërbimit të kontejnerëve apo postar.

“Në rast mos deklarimi apo deklarimi të rremë, të konstatuar nga autoritetet doganore apo policore, përveç trajtimit të rastit në funksion ndjekjes penale të çështjes dhe marrjes së masave përkatëse në funksion të saj, organet doganore vendosin gjobë pa të drejtë kthimi të mjeteve të padeklaruara në përqindje ndaj vlerës së pa deklaruar si më poshtë: a) Për shumat nga 10,000-19.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 5% për herën e parë, 10% për herën e dytë si dhe 30% për rastet e tjera; b) Për shumat nga 20,000-49.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 10% për herën e parë, 20% për herën e dytë si dhe 40% për rastet e tjera; c) Për shumat mbi 50.000 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 15% për herën e parë, 30% për herën e dytë si dhe 50% për rastet e tjera”, thuhet në nenin 17/1 të këtij drafti.
Kështu veç paralajmërimit për ndjekje penale, mos deklaruesit mund të ndëshkohen edhe me gjoba. Kjo masë, sipas relacionit shoqërues është vendosur si një praktikë që e përdorin disa vende të BE-së. Një nen i tillë mund të penalizojë edhe emigrantët shqiptarë, të cilët sa herë që hyjnë në Shqipëri detyrohen të sjellin të ardhurat për familjet e tyre jo nëpërmjet rrugëve bankare. Kanë qenë jo të pakta


Verifikim të policave të sigurimit dhe transaksioneve bankare
Me nismën e paraqitur zgjerohet mënyra e konstatimit për rriskun e deklarimeve të parave që dyshohen se shërbejnë për financimin e terrorizmit. Bankat e klientëve duhet të marrin masat për të verifikuar nëse përfituesit apo pronarët përfitues në policat e sigurimit të jetës janë persona të ekspozuar politikisht jo më vonë se në momentin e pagesës. Kur identifikohen rreziqe të larta, njoftohen drejtuesit e lartë përpara kryerjes së pagesës, kryhet verifikim i hollësishëm i marrëdhënies së biznesit me mbajtësin e policës si dhe të konsiderohet raportimi i aktivitetit të dyshimtë. Sipas relacionit të këtij drafti kjo gjë kërkohet në raportin MONEYVAL, ku mungojnë parashikimet për masat e zbatueshme në rast të identifikimit të rreziqeve që lidhen me kategori subjektesh të ndryshme nga ato të parashikuara nga ligji si dhe se nuk kërkohet në mënyrë specifike që në një kontratë sigurimi jete përfituesi të konsiderohet faktor risku dhe për këtë duhet të zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar që përfshijnë marrjen e masave për identifikimin dhe verifikimin e identitetit dhe verifikimin e pronarit përfitues, në momentin e pagesës .
Gjithashtu institucionet bankare duhet të verifikojnë edhe transfertat ndërkufitare mbi pragun e parashikuar në ligj. Subjektet financiare përfituese të verifikojnë identitetin e përfituesit, nëse ky proces nuk është kryer më parë, duke parë nëse personi që kryen këto lëvizje është në listën e terroristëve të shpallur nga OKB .
Neni 10/1 parashikon që bllokimi i përkohshëm të zbatohet në çdo rast kur personi i shpallur ushtron të drejta pronësie, kontrolli, me prokurë, ose të drejta apo interesa të tjerë, pavarësisht nga fakti se kush i ka në zotërim apo në përdorim fondet apo pasuritë e tjera, sikurse edhe për çdo fond e pasuri tjetër, që është gjetur në posedim ose mbahet nga personat e shpallur si të rrezikshëm.
Për mos zbatimin e këtyre neneve detyruese është parashikuar vendosja e gjobave që për institucionet bankare që variojnë nga 30 mijë lekë deri në 20 milionë lekë. Gjoba parashikohen të vendosen edhe për punonjësit e thjeshtë të bankës, të cilët nuk i raportojnë rastet e dyshimta.

Tabela gjobat që parashikohen

Për shumat nga 10,000-19.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 5% për herën e parë, 10% për herën e dytë si dhe 30% për rastet e tjera

Për shumat nga 20,000-49.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 10% për herën e parë, 20% për herën e dytë si dhe 40% për rastet e tjera

Për shumat mbi 50.000 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 15% për herën e parë, 30% për herën e dytë si dhe 50% për rastet e tjera


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë