Politike

Antishpifja, Vokshi: Anulojmë dy ligjet kur të vijmë në qeveri

Partia Demokratike hedh akuza mbi kryeministrin Edi Rama lidhur me paketën Antishpifje.

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi në një dalje për mediat nga selia e PD, tha se Rama do që të kalojë me nxitim paketën Antishpifje për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes, por PD do e anulojë menjëherë sapo t’i besohet qeveria. Ajo e cilësoi dekretin e Presidentit për kthimin në Kuvend për rishqyrtim, si një vendim të drejtë.

“Kthimi i dy ligjeve të censurës së medias online nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë. Ky është një vendim i drejtë, që, një kryeministër normal do ta shikonte si mundësi për t’i tërhequr ligjet antidemokratike. Por të gjithë e dimë mirë, se Edi Rama nuk ka për ta bërë këtë. Ai e ka sot jetike mbylljen e gojës së mediave, sidomos ato kritike online. Misioni i Edi Ramës është të censurojë të vërtetën e keqqeverisjes së tij dhe bashkëdrejtimin e vendit me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh”, u shpreh Vokshi.

Vokshi tha se Rama e ka jetike të fshehë të vërtetën e krizës në Shqipëri.

“Edi Rama e ka sot jetike të fshehë të vërtetën e një krize të rëndë ekonomike, që ka përfshirë vendin, të vërtetën për mijëra familje që janë në të ftohtë, pa strehë, pa ujë, pa drita, pa ngrohje, pa ilaçe e pa vakte të plota për fëmijët e tyre. Sot, kur duhet të dalin para drejtësisë zyrtarë të kësaj qeverie përgjegjës për 24 jetët e humbura në Thumanë, Edi Rama e ka domosdoshmëri të fshehë të çdo gjurme të krimit shtetëror, duke censuruar median. Edi Ramës i duhet censura ndërsa po përgatit vjedhjen e radhës, këtë herë përmes koncesioneve e tenderave mbi rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit”, tha ish-deputetja.

Partia Demokratike zotohet se do e anulojë menjëherë paketën antishpifje sapo të vijë në pushtet.

“Asnjë ligj censure nuk do të arrijë të fshehë të vërtetat e korrupsionit, krimit, varfërisë dhe mjerimit që ka mbërthyer Shqipërinë. Partia Demokratike i konsideron këto dy ligje si antikushtetues, që shkelin konventat ndërkombëtare, që censurojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e qytetarëve për informim. Duke inkurajuar gazetarët të mos tremben nga censura qeveritare, Partia Demokratike angazhohet për të anuluar këto dy ligje në momentin e parë që ajo do të ketë besimin për të qeverisur vendin”, përfundoi Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë