Politike

Antishpifja, Basha përshëndet vendimin e KiE-s për Venecian

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha përshendet vendimin e Këshillit të Europës për t’i drejtuar Komisionit të Venecias për marrjen e një opinioni mbi ligjin Antishpifje të qeverisë shqiptare. Me anë të një reagimi Basha thekson se “ky akt provon se dy projektligjet e kësaj pakete cenojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri”.
“Nga ana tjetër është e turpshme dhe e ulët që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i Parlamentit kukull nën urdhrat e Ramës, ka rrëzuar dekretin e Presidentit pa reflektuar jo vetëm mbi vërejtjet e tij, por edhe ato të komunitetit shqiptar të mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Pushteti aktual qëndroi i shurdhër edhe ndaj qëndrimeve të Komisionit Europian që tregonin se mos reflektimi për këtë paketë dëmton procesin e integrimit europian. Kjo indiferencë e kokëfortësi demonstron se Ramës nuk i intereson integrimi europian i vendit, por vetëm mbijetesa e tij politike me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën medieve”, shprehet Basha.
Komiteti i Monitorimit të Asmblesë parlamentare të Këshillit të Europës, më 20 janar i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “paketë Antishpifje” të propozuar nga qeveria shqiptare. Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat Audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë.
Pavarësisht kësaj mazhoranca duket se po nxiton në rrëzimin e dy dekreteve të presidentit Meta për këtë paketë, duke dhënë sinjale për mos pritje të opinionit të Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë