Politike

“Antishpifja”, Balla: Meta mori urdhër nga Basha, do e rrëzojmë. Presidenti sërish apelon

Partia Socialiste do ta rrëzojë dekretet e presidentit Ilir Meta sa i përket paketës “Antishpifje”. Ky ka qenë reagimi i parë i kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë një deklarate përpara medias.
“Presidenti Ilir Meta pas urdhrit të Lulzim Bashës ktheu mbrapsht përmes një dekreti dy ligjet komponentë të betejës së parë me shpifjen. Legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar në luftën kundër shpifjes. Shqipëria ka nderin të drejtojë OSBE, kështu që sipas procedurës parlamentare ditën e hënë ardhja e dekreteve i njoftohet parlamentit, shqyrtohen në komision dhe Meta rrëzohet në seancën e ardhshme”, deklaroi Balla. Sipas numrit dy të PS-së, paketa “Antishpifje” është cerfitikuar nga ana e OSBE-së dhe se për këtë nuk ka pse të diskutohet. Presidenti Meta i ktheu dje Kuvendit Paketën Antishpifje duke i kërkuar që ta rishikonte pasi kishte konstatuar 4 shkelje të rënda, ndër të cilat tek e drejta themelore e lirisë së fjalës. Madje kreu i shtetit i bënte apel Parlamentit që të reflektonte mbi këtë nismë, pasi kjo do të ndikonte te Shqipëria në arenën ndërkombëtare dhe në proceset integruese.
Balla ndërkaq i është përgjigjur edhe kërkesë së opozitës për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit. Duke e vlerësuar se sistemi kërkon ndërhyrje kushtetuese, ai theksoi se ndryshimi mund të bëhet në një fazë tjetër të dytë. Balla i kujtoi PD-së se ka një vend bosh në karrigen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, ku kanë edhe të drejtën e vetos. Për PS-në është e rëndësishme që të miratohen sa më parë ndryshimet e Kodit dhe kjo sipas tij duhet të realizohet 1 vit para zgjedhjeve të 2021.
Sa i përket denoncimeve të PD-së për kryebashkiakët, sipas Ballës, PS-ja nuk mbron asnjë dhe se është përgjegjësia personale e të zgjedhurve në krye të bashkisë të provojnë pafajësinë e tyre. Kështu socialistët heqin dorë nga mbrojtja e kryebashkiakëve socialistë që po dalin të dënuar. Akuza më e fundit është për kryebashkiakun e Mallakstrës, Qerim Ismailaj. Ndërsa pritet vendimi për drejtuesit e tjerë vendorë Agim Kajmaku dhe Mark Babani, të Vorës dhe Vaut të Dejës. Kajmaku është shkarkuar si kryebashkiak dhe po përballet me drejtësinë, ndërsa për Babanin prokuroria ende nuk ka ndonjë vendim.

Reagimi i presidentit: PS të reflektojë, jo kokëfortësi
Pas këtij qëndrimi të mazhorancës, erdhi edhe reagimi i Presidentit Meta. Kreu i shtetit me anë me anë të rrjeteve sociale postoi edhe një një argumentin se përse e ka kthyer mbrapsht një ligj të tillë, duke i bërë edhe një herë thirrje mazhorancës që të reagojë. Presidenti shprehet se liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.
“Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias. Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “Antishpifje””, shprehet presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë