Politike

Antiinformaliteti has në rezistencë, Braçe “padit” gjykatësit tek KLGJ

Aksioni antiinformalitet i Qeverisë ka hasur në rezistencën e disa bizneseve, që u janë drejtuar gjykatave administrative në vend për të kundërshtuar vendimet e organeve tatimore dhe të administratës fiskale.

Në disa raste, gjykatat administrative u kanë dhënë të drejtë dhe kanë rrëzuar pretendimet e administratës shtetërore. Zv.Kryeministri Erion Braçe i cilësoi këto vendime të drejtësisë si abuzive dhe në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, ai tha se ka vënë në dijeni organet e vettingut dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor me emrat konkretë të gjyqtarëve në fjalë.

“I jam drejtuar ministres së Drejtësisë, KLGJ, ONM dhe vettingut për një prej gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Tiranës për një çështje që ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur në kundërshtim të hapur me ligjin, për një gjykatës të Vlorës që ka vendosur për tre çështje brenda 1 minute dhe jashtë kompetencës lëndore dhe një gjykatës të Gjirokastrës, që ka liruar nga bllokimi gati 7 tonë ushqime të bllokuara nga AKU si të skaduara. Për secilin nga këto çështje kam kërkuar nga KPK, KLGJ që të ketë në vëmendje veprimtarinë e këtyre gjyqtarëve, me qëllim që kur këta gjyqtarë të paraqiten tek këto organe këto dosje të jenë aty si pjesë”, u shpreh Braçe.

Zv.Kryeministri Erion Braçe doli para gazetarëve ku tha se aksion antiinformalitet në fushën e hidrokarbureve është përshkallëzuar dhe tashmë është shtrirë edhe tek konsumatorët e mëdhenj të karburanteve.

Braçe i ndau në dy kategori. Njëra kategori që zotëron depozita për furnizimin e mjeteve të tyre dhe tjetra ajo e kompanive që figurojnë me depozita vetëm në letër, duke shmangur taksat.

“Janë ata që zënë gati 35-40 për qind të tregut të konsumit të karburanteve në Shqipëri. Do të doja t’u bëj një thirrje këtyre dy kategorive, së pari konsumatorëve të mëdhenj dhe që zotërojnë depozita në ambientet e kompanive të tyre, që kanë depozita të pacertifikuara. Nga dita e sotme, deri në fund të shtatorit kanë kohën e mjaftueshme që t’u drejtohen organeve shtetërore për të certifikuar depozitat, që të gjithë të kenë dijeninë për kapacitetet dhe konsumin e tyre të karburantit”, tha Brace.

Kategorinë e dytë, ata që nuk kanë as depozita dhe as konsumojnë naftë, zv.Kryeministri e paralajmëroi për ndjekje penale.

“Kategoria tjetër sjell në vëmendje faktin që nuk kanë as depozita pranë kompanive të tyre, nuk konsumojnë naftë, por janë pjesë e operacioneve në letra të trajtimit të karburanteve, secili do të jetë pjesë e hetimit të organeve tona fiskale, për këtë paligjshmëri do të mbajnë përgjegjësi edhe të gjithë inspektorët e organeve që kanë lejuar dhe certifikuar këtë paligjshmëri”, u shpreh ai.

Zv.Kryeministri komentoi edhe bllokimin e pikës së karburantit që shpërtheu në Shëngjin. Pika rezultoi pa lejen e nevojshme. Për këtë, Braçe paralajmëroi se kanë nisur verifikimi i kontrolleve të kryera në të shkuarën nga inspektorët dhe përgjegjësit do të mbajën përgjegjësinë ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë