Politike

Anti-KÇK, opozita: Polici politike, Rama synon të minojë SPAK-un

Opozita ka kundërshtuar paketën e re të paraqitur nga kryeministri Edi Rama duke deklaruar se kjo nismë minon organet e reja të hetimit Prokurorinë e Posaçme, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Aludimi i opozitës që nisma u shpall pikërisht në ditën kur u miratuan emrat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale dhe se synimi sipas opozitës është bllokimi i tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e cilëson këtë nismë si në tejkalim të kompetencave të policisë së shtetit dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Në ditën e ngritjes së tij, SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me radhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë. Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias. Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia. E reja e vetme e ligjit “Rama Kap Ça t’Kapësh” është marrja e kompetencave të SPAK-ut dhe BKH-së, duke ia dhënë ato një grupi nën kontrollin e Kryeministrit”, deklaroi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Gazeta Si, 25 nëntor 2019


Për partinë më të madhe të opozitës, ligji është një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar zyrtarisht shtetin policor.
“Rikthimi i modelit të shtetit policor, i rrëzuar më parë si antikushtetues, është tentativë e qartë për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAK dhe BKH, në ditën e ngritjes së tyre, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mes zyrtarëve të lartë dhe politikanëve. Edi Rama e di mirë se SPAK-u dhe BKH-ja e pavarur është rrezik për të dhe bandën e tij!”, theksoi Bardhi.
PD-ja e sheh si të panevojshme një nismë të tillë, pasi kuadri ligjor në Shqipëri për të luftuar krimin e organizuar është i plotë dhe madje shumë i fortë dhe që ndërmerren sa herë që i refuzohet çelja e negociatave. “Nën drejtimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Fatmir Xhafës dhe Sandër Lleshit, Policia e Shtetit është provuar që mbron dhe nuk lufton krimin e organizuar, është provuar që mbron dhe nuk lufton trafikun e drogës, sepse në krye të KÇK është vetë Kryeministri. Ai është kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur vota, ai është kapur me klientët e tij duke vjedhur tendera dhe e koncesione”, theksoi Bardhi.

Kryemadhi: Anti KÇK një polici politike
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një deklaratë për median e cilëson nismën e re të shpallur nga Rama, si një polici politike. Ashtu si edhe PD-ja, edhe LSI-ja kanë të njëjtën qëndrim dhe se kjo paketë synon minimin e SPAK dhe të Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Krijimi i policisë politike, asaj që na lançojë kryeministri në ikje, kryeministri ynë i lodhur dhe ai që mund të themi i kapur nga krimi i organizuar, vazhdon dhe provokon. Sot që ngrihet SPAK dhe Byroja e Hetimit, që për më shumë se 2 vitesh është mbajtur peng nga Edi Rama dhe grupi i tij, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij. Deri më sot kemi pasur një polici që ka qenë avokate e ethshme, avokate me një dashuri të jashtëzakonshme për krimit të organizuar, për bandat kriminale, për grabitësit e pronës publike, për koncesionarët, për oligarkët, por kemi pasur një polici persekutore të qytetarëve dhe tradhtare të aksioneve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për sa i përket trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kemi parë sesi tradhtoheshin, sesi spiunoheshin aksionet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Kryemadhi.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/508640329729338/?t=3


Në qëndrim e saj, Kryemadhi theksoi se shikojmë sesi një polici e tillë dhe se si një ligj i tillë vendoset në mënyrë paralele për të shkatërruar provat për byronë e hetimit dhe SPAK-un. “Një polici e tillë dhe një strukturë e tillë që vendoset në mënyrë paralele për të penguar hetimin e veprave korruptive të Edi Ramës, të cilat i dalin jo vetëm në ëndërr, por nuk e lënë të flejë. Duke filluar që me koncensionarët e famshëm dhe më pas në të gjitha projektet e tij korruptive të cilat kanë kaluar në një Parlament ilegjitim”, theksoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë