Politike

Anti KÇK deri sa të krijohet BKH. Braho ironizon Metën për grushtin e shtetit

Akti normativ i qeverisë, i njohur si pjesë e paketës Anti KÇK do të zbatohet për një kohë të shkurtër, pasi parashikohet që veprimtarinë në goditjen e krimit të organizuar dhe sekuestrimin e pasurisë së paligjshme ta ushtrojë Byroja Kombëtare e Hetimit. Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ana e zv.ministres Rovena Voda gjatë prezantimit të Aktit Normativ përpara komisionit parlamentar të Sigurisë.
Zyrtarja e qeverisë dha këtë përgjigje në lidhje me pyetjen e bërë nga ana e deputetit Sadi Vorpsi nëse është i mjaftueshëm afati 31 dhjetor 2020 për zbatimin e aktit. “Afati mjafton, besoj se po, OFL po vepron dhe deri në fund do të ketë dhënë impaktin e goditjes dhe do të jetë i zbatueshëm. Me të vërtetë që i mbaron afati OFL-së, por më pas ndoshta produkti do t’i kalojë BKH-së, pra gjithçka kalon në filtër të SPAK, e cila ka BKH-në njësinë e saj ushqyese të investigimit”, theksoi Voda. Në fakt shqetësimi i kryekomisioneres së Sigurisë, socialistes Ermonel Felaj, ishte se duhet të bëhet kujdes së këto kompetenca në të ardhmen do t’i ushtrojë SPAK dhe BKH.

Mbledhja e komisionit të Sigurisë. Gazeta "Si" 19 shkurt 2020


Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishte neni 29 i këtij akti ku i detyron subjektet e këtij ligji, pra personat që kanë vendosur pasuri të dyshimtë të vijojnë të deklarojnë gjendjen e pasurisë së tyre përtej afatit të zbatimit të Aktit, pra deri më 31 mars 2021.
“Deri më 31 mars të vitit 2021, subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të bëjnë deklarimet pasurore mbi të ardhurat vjetore, shtesat, pakësimet dhe ndryshimet e pasurisë përgjatë vitit 2020”, thuhet në këtë nen. Zv.ministrja Voda në qëndrimin e saj u shpreh se pavarësisht se OFL nuk mund të ekzistojë, brenda ministrisë së Brendshme është Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, e cila drejton OFL-në, e më pas mund të merret ajo në këtë proces. Gjithashtu përfaqësuesja e qeverisë bëri të ditur se do të krijohen struktura të veçantë në policinë e shtetit, pra Njësia e Krimit Ekonomik dhe ndoshta mund të jetë kjo njësi që do të ndërmerret, por edhe ajo e krimit kiberntik. Sa i përket shqetësime të ngritura për abuzime nga OFL apo dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, përfaqësuesi i ministrisë së Drejtësisë, drejtori i Kodifikimit, Besmir Beja u shpreh se janë marrë në konsideratë ato dhe se akti normativ është marrë nga modeli i Britanisë së Madhe, por kryesisht nga Kodi Penal italian sa i përket Antimafias.

Zv. Ministrja e brendshme, Rovena Voda në mbledhjen e komisionit të Sigurisë


“SHÇBA kanë qenë të kujdesshëm për të vendosur një mekanizëm monitorues ndaj OFL për të mos ta kthyer në një strukturë abuzive. Do të jetë ajo që do të monitorojë OFL në mënyrë që të mos tejkalojnë kompetencat e tyre me këtë akt normativ deri në marrjen e masave dhe çuarjen në ndjekje penale, nëse ka shkelje”, theksoi më pas Voda. Pas këtyre sqarimeve, akti normativ u hodh për votim në parim, duke marrë vetëm dy vota abstenim nga deputetët e opozitës, Alban Zeneli dhe Arlind Çaçani.
Braho ironizon Metën për grushtin e shtetit
Nisma nuk i është shmangur as debatit politik, ku përplasja më e fundit është mes mazhorancës dhe presidentit. Kreu i shtetit disa ditë më parë e cilësoi edhe këtë ligjin Anti KÇK si përpjekje e realizimit të grushtit të shtetit nga ana e kryeministrit Edi Rama. Deputeti i PS-së, Sparak Braho, i cili dikur ka qenë edhe në krahun e Metës kur ishte me LSI-në, e cilësoi si qesharake deklaratën e presidentit.

Ermonela Felaj dhe Spartak Braho gjatë një mbledhje të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare

“Alarmin e opozitës nuk e kuptoj, as të kreut të shtetit që deklaron se po bën grusht shteti Edi Rama. Si mund të bëjë kundër vetes së tij, Edi Rama një grusht shtetit kur e ka pushtetin e ta marrë atë me dhunë. Ato i bën opozita, ose grupe të tjera bëjnë grushte shtetit.. Kështu që është jo vetëm qesharak, por është edhe një lloj justifikimi. Unë jam deputet i vjetër dhe kam qenë prezent në dy raste kur Sali Berisha ka tentuar të bëjë grusht shteti. Nuk e bën grushtin e shteti ai që është në pushtet”, theksoi Braho. Deputeti socialist kërkoi që të bëhet kujdes që të mos ketë ndonjë përplasje me zbatimin e aktit. “Kushtojini kujdes për modalitetet e procedurat e aplikimit, duhet të jenë shumë serioze dhe të mos e diskretitoni aktin tuaj. Ka pasur një rast dhe unë kam folur me ministrin”, theksoi Braho. Akti normativ u miratua më 31 janar dhe se sipas praktikës legjislative, Kuvendi duhet të marrë një vendim brenda 45 ditëve duke miratuar ose jo nismën e qeverisë që po shkakton shumë punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë