Njerez

Ankthi i gjyshërve në pandemi

Ilustrimet: Klaus Kremmerz

Nga Mark O’Connell - Një vit më parë, në ditët midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, babai i gruas sime vdiq. Kishin kaluar muaj që ishte diagnostikuar me kancer. Në kohën kur  e vizituam për Krishtlindje ai po merrte vetëm trajtim paliativ dhe ishte kuptuar që ne shkonim për fundin e tij. Vajza jonë ishte rreth shtatëmuajsh atëkohë. Mbaj mend që gruaja ime tha, se  një nga gjërat më të trishtueshme,  ishte se ai kurrë nuk do ta shihte atë si një vogëlushe apo parashkollore, e lëre më një adoleshente apo të re. Ai vetëm do ta njihte atë si këtë gjë të vockël, me sytë e  stërmëdhenj e të habitur dhe këmbët e buta , që hidhnin shqelma në ajër.

Jam menduar aq shumë rreth kësaj  gjatë javëve të fundit, ndoshta, si gjithçka tjetër tani, për shkak të pandemisë. Problemet që unë dhe familja ime kemi hasur janë të vogla në skemën e gjërave. Jetesa ime nuk është prekur shumë dhe askush pranë meje nuk e ka marrë virusin. “Nuk mund të ankohem”,  u them njerëzve të cilëve po u ankohem.) Por përvoja e kësaj krize ka qenë gjithsesi një përvojë e jetesës,  në rrethana të reduktuara. Dhe kjo, për ne, ka përfshirë çdo kontakt domethënës me familjen tonë më të gjerë.Fëmijët tanë kanë tre gjyshër ende në jetë, të cilët i kanë parë shumë pak gjatë këtij viti. Ne jetojmë më pak se dy orë larg prindërve të mi.

Disa javë më parë fola me babanë tim në telefon. Ai tha se nuk e kishte problem që të mos më shihte sepse e dinte që, kur më në fund të ishim përsëri së bashku,  do të isha në thelb i pandryshuar  nga koha kur më kishte parë për herë të fundit.  Nipërit dhe mbesat, megjithatë, ishin një histori tjetër. Duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën fëmijët e vegjël xhirojnë nëpër etapat  e zhvillimit, faza të veçanta të jetës së tyre po kalonin në mungesë të tij.

Ishte shumë e trishtuar ta mendoje - prandaj supozoj se kam kaluar kaq shumë kohë duke menduar rreth kësaj. Në muajt e parë të pandemisë që nuk mund të shihja prindërit e mi, m’u duk një shqetësim i vogël. Unë jam i shkujdesur dhe mund të kalojnë muaj në mes të vizitave tek ata. Ishte për të ardhur keq që nuk mund të ishim bashkë dhe u ndjeva keq, që ata nuk mund të ishin pranë fëmijëve. Por e dija që ishin të sigurt dhe se ishin të lumtur në shoqërinë e njëri-tjetrit, kështu që nuk lashë të më mposhte trishtimi.

Tani jemi tetë muaj në këtë dhe e kemi tejkaluar kohëzgjatjen e çdo interludi normal të ndarjes. Dhe kam vërejtur se kam filluar të ndërmjetësoj përvojën time për fëmijët e mi, përmes faktit të distancës së prindërve të mi nga jeta e tyre. Sa herë ngelem jashtë nga diçka që ata bëjnë, më përndjek ajo ç’ka gjyshërit e tyre po humbin. Nuk është tamam vdekja për të cilën po flasim, por as nuk është krejtësisht e palidhur me të.

Gjashtë muaj është një kohë e gjatë në jetën e një fëmije shtatëvjeçar dhe madje edhe më e gjatë në jetën e një fëmije dyvjeçar. Që nga fillimi i pandemisë, djali ynë ka humbur tre dhëmbë qumështi dhe i kanë dalë dhëmbë të përhershëm. Tiparet  e tij kanë ndryshuar dukshëm, duke marrë një përkufizim të butë që duket se paralajmëron fytyrën,  që do të ketë si i rritur. Krejt papritur, ai është bërë një fëmijë që merr mësime pianoje dhe shkon në kurs futbolli, të shtunave në mëngjes.

Ai është fiksuar me  lojëra fjalësh dhe shaka, në një mënyrë sa simpatike aq edhe irrituese. Këtë mëngjes i thashë se ishte koha të ngrihej dhe ai ra dakord që ishte koha që të ngriheshim “Up” - filmi Pixar “Up”, domethënë, që ishte koha  për ta blerë në DVD. Ishte puna e parë e ditës dhe për Zotin, nuk do të ishte e fundit.

Edhe motra e tij e vogël – ka ndryshuar kaq shumë! Flokët e saj, që ishin të hollë  e foshnjorë, janë më në fund të gjatë dhe të trashë,  sa t’i rrotullohen pas veshëve. Me kalimin e çdo jave ajo bëhet më e artikuluar dhe më e shoqërueshme. Pasditen tjetër kur po prisnim në një vendkalim për këmbësorët, ajo u prezantua me një nënë dhe vogëlush në shtegun pranë nesh dhe pastaj vazhdoi të prezantonte secilin nga ne,  me emër. “Dhe ky është babi im," tha ajo, duke bërë gjest drejt meje me doçkën e saj. “Ai quhet Mark”.

Njohuria që fëmijët kalojnë vazhdimisht përmes vetes, gjatë rrugës për t'u bërë dikush tjetër,  është pjesë e kënaqësisë dhe magjepsjes së prindërimit. Sjelljet dhe tiparet e tyre janë në një gjendje evolucioni të vazhdueshëm, kështu që gjërat që dikur dukeshin se i përcaktonin rrëshqasin gjithnjë drejt së shkuarës dhe kujtimeve. E gjithë kjo është vetëm një premisë themelore e të qenit gjallë. Por është gjithashtu shkatërruese kur e mendon. Jo tamam  vdekja, por as krejt pa lidhje.

A i duan njerëzit nipërit e mbesat, më pak se fëmijët e tyre? Duket e vështirë të imagjinohet se po, por po aq e vështirë të imagjinohet se jo. Ndoshta është një dallim i diskutueshëm që në nisje. Në fakt, të jesh gjysh mund të jetë një vazhdim i prindërimit, ose një ringjallje e dinamikës së saj thelbësore, pas një periudhe ngecjeje.

Edhe marrëdhënia më e dashur dhe e shëndetshme prind-fëmijë arrin në një fazë të rrafshët, në një moment të caktuar. Shumica e asaj që do të dini për fëmijën tuaj - për ç’ka janë, nga ana ekzistenciale, në krahasim me faktet kontigjente të jetës së tyre të përditshme – me gjasë do t’i keni mësuar në kohën kur ata të jenë,  të themi, 30 vjeç. Por pastaj vijnë nipërit dhe mbesat  dhe regjimi i vjetër i të mësuarit, ndryshimit dhe rritjes rivendoset menjëherë.

Me sa mund të them, dashuria e gjyshit për nipin a mbesën  është gjithashtu një ekstrapolim i dashurisë për fëmijën e tyre - gjë që e bën të qenët gjysh një mënyrë tjetër për të qenë prind. Kur shoh  prindërit me fëmijët e mi,  më zgjohet brenda vetes ndjenjat e të qenit fëmijë - më e rëndësishmja, të qenit fëmijë i këtyre prindërve të veçantë. Kur kthej kryet pas dhe shoh  se si im atë ndërvepron me djalin tim, për shembull - marrëzinë e vjetra, butësinë e ankthshme, përdorimin e gjuhës për qëllime  komike - po shoh, nga  larg, se si ishte ai me mua.

Kjo ndihmon të qartësoj llojin e prindit, madje edhe llojin e personit, që  jam ose aspiroj të jem. Kjo më afron më shumë me fëmijërinë, më çon më afër djalit tim, babait tim dhe, në një farë mënyre të çuditshme, vetes. Mendoj se kjo ishte një pjesë e madhe e arsyes pse isha kaq i trishtuar, pasi vjehrri im po i afrohej vdekjes, duke menduar për gjithçka që do të humbte. Nuk ishte vetëm, apo kryesisht, për të. Pasi të jeni prindër, kurrë nuk do të ndaleni  së qeni prind. As ju ​​nuk jeni ndalur kurrë së qeni fëmijë. /1843 Magazine,The Economist. Përshtati në Shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë