Sabina Veizaj - Në valët e të nxehtit afrikan, kur Strasburgu ka mbërritur në Tiranë përmes çështjes së thektë të pronave në optikën politike, pasoja e diskurit është krejtësisht praktike dhe ekonomike.
Çfarë do të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve në Shqipëri? A e përballon dot buxheti i qeverisë faturën e kripur të 400 dosjeve dhe sa i kushton çdo shqiptari vlera e shtuar e kësaj fature?
Arben Malaj, eksperti në fushën e Financave Publike argumenton për Gazetën “Si” se “e para dhe mbi të gjitha për funskionimin e shtetit ligjor, kriteri kryesor, është e drejta e pronësisë dhe kjo bëhet akoma më imediate për vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian sepse është një nga kriteret themelore". "Në këtë aspekt si detyrim ndaj ish-pronarëve, si plotësim i një standardi të ri të funskionimit të shtetit ligjor, zgjidhja e çështjes së pronës merr prioritet. Ajo që Shqipëria ka dallim nga vendet e tjera është që fatura është ende e paqartë. Ndërsa fatura tenton të rritet dhe askush nuk mund të thotë saktësisht se sa është, mbetet një problem i menaxhimit integral të vendit. Gjykata e Strasburgut duke qenë në thelb Gjykata e të Drejtave të Njeriut, (e drejta e pronës është e drejtë e patjetërsueshme edhe sipas Kushtetutës Shqiptare), është e detyruar ta gjykojë çështjen dhe të marrë vendimet përkatëse. Propabiliteti që ankesat të dalin fituese në vendin tonë, është më i madh sepse edhe problematikat janë të tilla që në rastin e shqyrtimit të Gjykatës së Strasburgut të kthehen në vendime detyruese për qeverinë shqiptare." "Nga ana tjetër,- shton Malaj, - qeveria ka një shqetësim të drejtë sepse është një barrë shumë e rëndë dhe në këtë aspekt bazuar edhe në prioritetin që kanë vendimet e gjykatave ndërkombëtare, rezulton që kjo shumë ka prioritet për t'u paguar nga buxheti i vendit”.
Eksperti Malaj sugjeron se zgjidhja qëndron tek fakti që “borxhi imediat të kthehet në borxh afatgjatë.” Sipas tij, instrumentat mund të jenë të ndryshme sepse ka eksperienca edhe në vende të tjera, në mënyrë që përmes instrumentave të borxhit për këto lloj vendimesh, të gjenden instrumentat për ta ktheyr në një borxh afatgjatë të përballueshëm nga qeveria. Një mënyrë, mendon Malaj, mund të jenë obligacionet afatgjata, pasi tregu bëhet i disponueshëm; ata që kanë këto obligacione mund t'i rishesin.
Malaj gjykon se “edhe vetë institucionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë, nuk do të jenë kaq këmbëngulëse saqë të kërkojnë që borxhi të paguhet menjëherë". Mund të jetë një marrëveshje me ish-pronarët, që drejtësia t'u vendoset përmes kompensimit, por jo në mënyrë të menjëhershme, por në afat më të gjatë. Malaj thotë se “nëse shteti do të krijojë kredibilitet, siguri, përgjegjshmëri, ai beson që edhe ish-pronarët do të bien në një marrëveshje të tillë për të marrë të drejtën e tyre që është kthyer në një vendim të një gjykate ndërkombëtare.”
Fatura në rritje
Sipas një relacioni të komisionit të ligjeve, fatura e kompensimit të ish-pronarëve shkon tek 600 mln dollarë.
Vendimi i Qeverisë i janarit 2018, citon se për ish-pronarët do të shpërndahen 200 mln dollarë për katër vite deri në vitin 2021.
Sipas buxhetit, fatura e këtij lloji është gjithmonë në rritje; nga 40 mln dollarrë që është këtë vit, pritet të shkojë në 55 mln dollarë.
Vendimet e formës së prerë që priten për t’u ekzekutuar janë 26 mijë, prandaj në mungesë të përballimit të shlyerjes së menjëhershme, qeveria ka menduar të përdor mekanizmin e kësteve.
Aktualisht borxhi publik që shqiptarët duhet të paguajnë është 8 miliardë e 328 milionë euro ose 65.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kostot e borxhit për frymë për periudhën nga 2010-2018 të përpunuara nga Open Data Albania bazuar në shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave, treguesi shënoi vlerën më të lartë në 2013-n, kur përllogaritej të ishte 14.952 lekë. Në dy vitet që do të vinin më pas, kostot e borxhit për frymë do të pësonin rënie. Për periudhën e marrë në shqyrtim, viti 2016 pati nivelin më të ulët të këtij treguesi me 12 564 lekë.
Kostot e borxhit për frymë në fillim të 2018-s janë përllogaritur me rritje në vlerën 14 410 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e dhjetë). Kosto e borxhit në total sipas projektbuxhetit të 2018-s parashikohet të jetë dyzet e një pikë pesë miliard lekë. Kjo është shumë e interesave të borxhit të jashtëm, interesave të borxhit të brendshëm dhe kontigjencës së rritjes së borxhit. Sipas tabelës së treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kostot e borxhit në 2018-n parashikohen të jenë sa 2.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe pse nuk ka një faturë të saktë se sa u kushton shqiptarëve borxhi ndaj ish-pronarëve, vlera e shtuar në rritje e saj ndaj borxhit publik është e sigurt që do të rrisë dhembjen e kokës së shqiptarëve ndër breza duke u zbrazur xhepat në një vend me ekonomi të vështirë dhe të paqëndrueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.