Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka prezantuar ditën e sotme rezultatet e Task Forcës antikorrupsion të një jave. Në sitën e kontrollit kanë qenë institucione si Inspektoriati Qendror Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Durrës, ku janë rekomanduar 24 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave 9 prej tyre janë shkarkime nga puna. Po ashtu janë kallëzuar penalisht edhe 2 punonjës të tjerë.
Personat e shkarkuar nga pozicioni janë: 1 Drejtor, 1 inspektor, 3 përgjegjës sektori dhe 4 specialistë pranë Inspektoriatit Qendror Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Për rastet kur shkeljet e konstatuara janë në kufijtë e veprës penale, Task Forca Antikorrupsion ka kryer kallëzime penale për personat përgjegjës.
“Ish-Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore Qendër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në shkelje të hapur të ligjit - shkelje në procedurën e prokurimit të me objekt ‘Digjitalizimi i arkivit’ të Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Si dhe Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Durrës, e cila dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime konkrete në shkelje të ligjit nr. 10433, datë 16.06.2011 ‘Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë’, si dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij. Po ashtu nga strukturat e Policisë së Shtetit, janë evidentuar 21 vepra penale në fushën e korrupsionit me 27 autorë të proceduar penalisht, nga të cilët 4 të arrestuar apo ndaluar dhe 23 të proceduar në gjendje të lirë”.
“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrisë të Drejtësisë ka proceduar penalisht në Prokurori dy punonjëse pranë IEVP Vlorë, për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ si dhe ka rekomanduar marrjen e masave administrative për 20 punonjës të tjerë në burgjet e Vaqarrit, Lezhës, Fierit dhe Sarandës. Po ashtu në rastin e bërë mediatik, lidhur me ndalimin e punonjëses të ZVRPP Devoll, e cila u denoncua në media pasi i mori ryshfet një qytetari për një shërbim publik, u shkarkua menjëherë nga detyra. Falë bashkëpunimit me Task Forcën Antikorrupsion dhe Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier, u mor masa e sigurisë arrest me burg, për një ish-jurist i ZVRPP Fier, i kallëzuar penalisht për ‘Korrupsion pasiv’, që në muajin maj të këtij viti. E gjithë vëmendja për qytetarët, nuk është thjesht një slogan, por është parimi mbi të cilin kemi vendosur të mbështesim qeverisjen tonë”, është shprehur ministrja Gjonaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.