Futboll

Anglia nuk duron, lojtarët do braktisin fushën në korin e parë racist

Fenomeni i racizmit është bërë mjaft shqetësues kohët e fundit në futboll, në kampionate të ndryshme, por edhe në ndeshjet mes përfaqësueseve. Kulibali i Napolit u bë çështje sezonin e kaluar në Itali, po ashtu Rahim Stirling i Mançester Sitit në ndeshjen e Anglisë me Malin e Zi, dhe së fundi sulmuesi i Çelsit, Tami Abraham. Por këto janë vetëm rastet më të bujshme.

UEFA ka dalë disa herë me deklarata se do të mbajë qëndrime të forta ndaj klubeve dhe stadiumeve ku dëgjohen kore raciste. Masat realisht janë marrë me dënime ndeshjesh pa tifozë, megjithatë fenomeni negativ nuk është zhdukur edhe as parandaluar. Shtypi britanik zbulon një nismë të lojtarëve të Anglisë para ndeshjeve eliminatore të Euro 2020 me Çekinë dhe Bullgarinë. E ka pohuar sulmuesi Abraham, i cili shprehet se lojtarët e Anglisë do të lënë fushën e lojën në korin e parë racist në stadium. “Nuk është se sulmohet një lojtar i vetëm, por i gjithë ekipi. Mund të ndodhë një herë apo dy herë, por jo në vazhdimësi. Çështja është mjaft serioze dhe duhet vepruar tani. Nëse dëgjohen kore raciste, ne do të lëmë fushën”, - ka thënë lojtari i Çelsit për “The Sun”.

Shtypi anglez shkruan për nismën e lojtarëve të kombëtares. Gazeta Si, 9 tetor 2019

Anglezët duken të vendosur për të vepruar konkretisht dhe për të mos mbetur te deklaratat. Ata duan t’i japin një goditje të fortë këtij fenomeni negativ në stadiume, duke e parë si të vetmen zgjidhje. Sipas anglezëve, askujt nuk i duhet futbolli, kur ndaj lojtarëve në fushë ka fyerje dhe kore raciste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë