Taksa

Anglia do të shfuqizojë blerjet me pakicë pa TVSH për turistët, do të shkatërrohet turizmi

Një plan qeveritar për t’i dhënë fund blerjeve pa TVSH për vizitorët ndërkombëtarë në fund të vitit, mund t’i kushtojë Britanisë së Madhe miliarda paund të humbura në të ardhura, kanë paralajmëruar përfaqësues të industrisë së turizmit, udhëtimit dhe shitjes me pakicë.

Në një letër drejtuar kancelarit, krerët e firmave të tilla si Marks & Spencer, Heathrow dhe Selfridges thanë se masa gjithashtu vë në rrezik 70,000 vende pune.

Rreth 3.5 miliardë paund shitje me pakicë pa taksa u bëhen turistëve jo-BE çdo vit.

Thesari thotë se lehtësimi i taksave është i kushtueshëm dhe i prekshëm nga mashtrimet.

Sipas skemës së TVSH, “Eksportet me Pakicë”, vizitorët ndërkombëtarë në Mbretërinë e Bashkuar mund të rimarrin TVSH-në që paguajnë për mallrat e blera, por jo të konsumuara në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga kjo  përfitojnë hotspotet turistike si Londra dhe Edinburgu, si dhe fshati i famshëm i blerjeve Bicester në Oxfordshire, i cili tërheq vizitorët që duan pazaret.

Por në fillim të këtij muaji qeveria tha se do të shfuqizonte vendimin nga i cili përfitonin turistët në 31 Dhjetor, kur përfundon periudha e tranzicionit Brexit, duke argumentuar se ai ofronte përfitime të pakta për shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ishte në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Kritikët thonë se Thesari ka frikë se, sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, Mbretërisë së Bashkuar do t’u duhej gjithashtu të shtrinte skemën për vizitorët e BE-së pas periudhës së tranzicionit, duke krijuar një barrë të madhe administrative mbi autoritetet tatimore.

Shoqata e Shitjeve Ndërkombëtare (AIR), e cila bashkë-shkroi letrën, i kërkoi kancelarit të “shikojë përsëri këtë vendim shkatërrues”.

Ai paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar do të bëhet i vetmi vend Europian që nuk ofron blerje pa TVSH për vizitorët ndërkombëtarë.

Kjo do të dëmtonte industrinë e turizmit, shitjes me pakicë dhe kohën e lirë në një kohë kur ato “tashmë janë goditur rëndë nga ndikimi i Covid-19”

“Madridi, Milano dhe Parisi po fërkojnë duart me gëzim për këtë plagë të vetëshkaktuar nga Mbretëria e Bashkuar”, tha shefi i AIR Paul Barnes.

“Nëse ne tarifojmë të njëjtat mallra me 1/5 më shumë, vizitorët ndërkombëtarë nuk do të hezitojnë të kalojnë pushimet në vende të tjera dhe dyqanet dhe vendet e punës do të shkatërroheshin brenda pak muajsh”.

Sipas Visit Britania, turistët ndërkombëtarë shpenzuan 6 miliardë paund duke bërë pazar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018. Nga ato transaksione, 3.5 miliardë paund u regjistruan si shitje pa taksa, megjithëse TVSH-ja u rikuperua vetëm me 2.5 miliardë paund.

‘Disavantazh i jashtëzakonshëm’

Thierry Andretta, shefi i prodhuesit të çantave të dorës në Mulberry, i cili gjithashtu nënshkroi letrën, akuzoi qeverinë se është “dritëshkurtër”.

“Kjo do të shkatërrojë aftësinë e Mbretërisë së Bashkuar për të qëndruar konkurruese me Europën Kontinentale dhe … na vendos në një disavantazh të jashtëzakonshëm, për të mos thënë që do të ketë një ndikim material në vendet e punës dhe prodhimin në këtë sektor.”

Një zëdhënës i Thesarit tha: “Ne jemi duke e përdorur fundin e periudhës së tranzicionit për t’i sjellë sistemin tonë fiskal dhe taksave personale në përputhje me normat ndërkombëtare.

“Kjo ishte subjekt i një konsultimi të plotë dhe blerjet pa TVSH janë akoma të disponueshme sepse shitësit me pakicë janë në gjendje ta ofrojnë atë për vizitorët jashtë shtetit që blejnë sende në dyqan dhe i dërgojnë ato direkt në adresat e shtëpive të porositësve.” /Burimi: BBC/ Në shqip: Gazeta “Si”/


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë